EMRAT QË PËRDOREN VETËM NË NJËJËS DHE EMRAT QË PËRDOREN VETËM NË SHUMËS

EMRAT QË PËRDOREN VETËM NË NJËJËS DHE EMRAT QË PËRDOREN VETËM NË SHUMËS
Jo rastësisht sa vjen e shtohet nevoja për të vënë në trajtim tema të këtilla, të cilat s’do mend se zgjojnë kërshërinë e lexuesve tanë. Emër quhet ajo pjesë e ligjëratës që emërton qenie të gjalla dhe sende dhe ka kategoritë gramatikore të gjinisë, të numrit, të rasës, të trajtës dhe të lakimit.
Ndonëse trajtimi ynë është kategoria gramatikore e numrit, paraprakisht le të nënvizojmë se emrat në gjuhën shqipe kanë dy numra: numrin njëjës dhe numrin shumës, por jo të gjithë emrat kanë mundësinë t’i kenë të dy numrat.
Emrat numrin shumës siç dihet e formojnë nga tema e njëjësit me mbaresa të veçanta, si: ”-e, -a, -ë, -nj, -enj, -inj, -ër, -ra”; sikundër edhe nga ndërrimet e zanoreve ”a/e, e/a,” apo shumësi me qiellëzorizimin e ”k/q, g/gj”, po dhe të ”ll/j” etj.
Në gjuhën shqipe shumica e emrave të përgjithshëm tregojnë gjësende, frymorë ose dukuri, që mund të numërohen të cilët përdoren në dy numrat: njëjës dhe në shumës. Mirëpo, disa emra përdoren vetëm në numrin njëjës (singularia tantum). Të këtillë janë:
1. Emra abstraktë, si: dashuri, guxim, uri, lumturi, etje, nxehtësi, durim, lavdi, etj.
2. Emra përmbledhës:grari, nusëri, punëtori, vëllazëri, gjindje, popullsi, njerëzi, fshatarësi, etj.
3. Emra që tregojnë lëndë (prodhime ushqimore):qumësht, kos, gjizë, dhallë; rërë, benzinë, gëlqere, çimento, vaj, oriz, duhan, elb, naftë etj.
4. Emra të sëmundjeve:fruth, li, grip, zgjebe, kollë, covid, rubeola, rrufa etj.
5. Emra të muajve: janari, shkurti, marsi, maji …. etj.
6. Emra që tregojnë dukuri atmosferike:dëborë, breshër, brymë, vesë, vapë etj.
7. Emra të anëve të horizontit:jug, lindje, perëndim, veri etj.
8. Emra të gjuhëve:shqipja, anglishtja, greqishtja … etj.
9. Emra të përveçëm:Adriatiku, Shqipëria, Tirana, Buna, Prishtina, Drenica, Myzeqeja, Teuta, Naimi, etj.
10. Emrat e shkencave:matematikë, gjeografi, biologji…, etj.
II. Emrat që përdoren vetëm në shumës
Gjuha shqipe ka një numër të kufizuar emrash të përgjithshëm, të cilët përdoren vetëm në shumës (pluralia tantum). Emra të këtillë janë:
1. Emra që tregojnë lëndë, grumbuj shuma të hollash:krunde, makarona, qelqurina; perime, të korra, të lashta, të mbjella, të vjela, të ardhura, të fshira.
2. Emra prej dy a më shumë pjesësh:gërshërë, pantollana, syze, ski, brekushe, kryqe, pranga, dorëza, leqe etj.
3. Emra që tregojnë shumicë frymorësh a qenjesh: dhen, shqerra, shtojzovalle, plaka etj.
4. Emra që tregojnë sëmundje: ethe, shyta, grykët, etj.
5. Emra festash:kërshëndellat, pashkët etj.
6. Emra që tregojnë vende:Alpe, Karpate, Filipine, Apenine, Mrize etj.
Prandaj në saje të këtyre shembujve të dhënë do të njihen jo vetëm nxënësit dhe studentët, por edhe kategoritë e tjera me këto rregulla gramatikore dhe jo vetëm në të folur, por edhe në të shkruar do të jemi akoma më të pagabueshëm.
~Prof. Hamdi Mazreku
34 Shikime
Komente