FOLJET NJËVETORE DHE ATO PAVETORE

FOLJET NJËVETORE DHE ATO PAVETORE
Në gjuhën shqipe pjesa më e madhe e foljeve përdoren në të tria vetat, por ka edhe disa folje që përdoren vetëm në vetën e tretë njëjës apo shumës. Foljet e tilla quhen “NJËVETORE dhe PAVETORE”, të cilat në disa gramatika të shqipes i ndeshim si sinonime të njëra-tjetrës, për çka nuk është ashtu. Madje ato i gjejmë të shkruara edhe si “Folje njëvetore OSE pavetore”?! Sa herë që shkruhen “ose” i bie sikur është fjala për të njëjëtat folje.
1. FOLJET NJËVETORE
Quhen folje njëvetore të gjitha ato folje që kanë vetëm vetën e tretë njëjës apo shumës dhe që marrin kryefjalë apo nënkuptohet ajo. P.sh.:
Fort po “shndrit” njaj diell e pak po nxeh!
Borë e madhe “paska ra”.
“Ushtojnë” lugjet prej orteqesh.
Goja e vogël si lulja që “shpërthen”.
Foljet e nënvizuara a mund të marrin kryefjalë?
Atëherë, foljet e shkëputura janë në vetën e tretë dhe marrin kryefjalë:
“paska ra” (borë e madhe),
“ushtojnë” (lugjet),
“shpërthen” (lulja),
“shndrit” (dielli), pra: kush?
Veçori e këtyre foljeve është se përdoren vetëm në vetën e tretë.
Megjithatë, ka raste kur disa folje edhe pse përdoren në vetën e tretë, nuk marrin kryefjalë.
P.sh.: Ne nuk “duhet” t’u japim fëmijëve para.
Nuk “rrohet” në varfëri, mor bir!
“Bënte” aq ftohtë jashtë sa s’durohej.
Foljet: “duhet, rrohet, bënte (ftohtë), janë në vetën e tretë, por nuk mund të marrin kryefjalë. Foljet njëvetore mund të marrin kryefjalë, e cila është shprehur ose nënkuptuar, siç janë: Foljet njëvetore që përdoren vetëm në vetën e tretë.
Folje njëvetore që përdoren në vetën e tretë dhe që shënojnë:
Dukuri atmosferike, si: bie (shi, dëborë); fryn (era), ushton (mali), gjelbëron (bari), etj.
Veprime të kafshëve: hingëllin (kali), hunguron (ujku), leh (qeni), kakaris (pula), pellet (gomari), mjaullin (macja) etj.
Foljet e tipit: (s’më) besohet, (s’më) kujtohet, më pëlqen, rastis etj.
P.sh: S’më “besohet” që ai gënjen.
Folje të formës joveprore, si: “dihet, flitet, thuhet, kuptohet” etj.
P.sh.: "Flitet" se do të marrë verë e thatë.
Foljet: “jam, vij, shkoj, dal ” në shprehjet si këto: s’është keq, s’më vjen mirë etj.
Disa folje kalimtare: “di, lejoj, parashikoj, kuptoj, flas”, në joveprore: “lejohet, parashikohet, kuptohet, flitet ”etj. P. sh.: “Parashikohet” të ketë ngritje çmimesh këto ditë.
2. FOLJET PAVETORE
Foljet pavetore kanë vetëm vetën e tretë, por nuk marrin kryefjalë, si:
Foljet që tregojnë dukuri atmosferike, por që nuk marrin kryefjalë, si: “vetëtin, bubullin, veson, gjëmon, bën ftohtë, bën ngrohtë” etj.
Foljet “duhet”dhe “do” – foljet gjysmëndihmëse modale p.sh.: “Duhet” biseduar për këtë.
Folja “kam”në kuptimin ndodhet (ndodhen). P.sh.:“S’ka” mish pa kockë.
Foljet jokalimtare të formës joveprore: (s’) shkohet, (s’) rrihet, (s’) flitet etj. P.sh.: Kështu s'rrihet. Atje s'shkohet. etj.
Shtojcë:Ajo që i bashkon këto folje është se ndërtohen në vetën e tretë, ndërsa ajo që i ndan është se foljet njëvetore marrin kryefjalë, kurse ato pavetore nuk mund të marrin kryefjalë.
Përfundimisht është gabim që në disa gramatika ekziston shprehja: foljet njëvetore ose pavetore, kur dihet se ato nuk janë të ngjashme dhe kanë dallime.
~Prof. Hamdi Mazreku
45 Shikime
Komente