DREJTSHKRIMI I FOLJEVE NË KOHËN E PAKRYER
-1711099979797.png)
DREJTSHKRIMI I FOLJEVE NË KOHËN E PAKRYER
Njëra ndër kohët e shkuara të foljes është edhe koha e pakryer (imperfekti), e cila tregon një veprim a gjendje të zgjatur a të përsëritur herë pas here brenda një kohe të caktuar të së shkuarës e që ka përfunduar para çastit të ligjërimit pa ditur fillimin dhe mbarimin e tij.
Kjo kohë në shqipe ka një ndërtim sintetik, prandaj edhe hyn në kohë të thjeshta. Shumica e foljeve në kohën e pakryer kanë një temë të njëjtë me ato të kohës së tashme.
P.sh.:“heq: hiq- ni – hiq-ja; pjek: piq-ni – piq-ja: vras: vrit-ni – vrit-ja: bie: bi-ni – bi-ja etj.
Të gjitha foljet, duke përfshirë edhe të parregulltat, me përjashtim të foljes “jam” dhe “kam” marrin këto mbaresa: “-ja, -je, -nte (-te); -nim, -nit, - nin” P.sh.:
unë laja, hapja, zija
ti laje, hapje, zije
ai/ajo lante, hapte, zinte
ne lanim, hapnim, zinim
ju lanit, hapnit, zinit
ata/ lanin, hapnin, zinin
Folja “jam” dhe “kam” marrin mbaresat: “sh-a, sh-e, -te; -im, -it, -in”.
Kur përdoret me kuptim themelor e pakryera shoqërohet zakonisht me pjesëzë, “po” p.sh.:Treni “po hynte”në kthesën e madhe.
E pakryera e dëftores përdoret edhe me këto kuptime:
1. Për të treguar një veprim të pacaktuar, që është përsëritur herë pas here në të shkuarën. P.sh.
Herë pas here "kthente" kokën e "shikonte" fytyrën e të vëllait.
2. Për të treguar një veprim të pacaktuar, që ka zgjatur për një kohë pak a shumë të gjatë në të shkuarën. P.sh.
Veglat, me të cilat "punohej" toka, ishin parmenda e drunjtë dhe kazma e hekurt.
3. E pakryera e dëftores përdoret edhe si e tashme në të shkuarën. P.sh.
Pashai i tha se nuk "donte" të hante.
Duke parë se foljet në të pakryerën po vihen re me shkarje drejtshkrimore do t’i regjistrojmë më poshtë si po përdoren ato edhe në institucionet tona, në variantin dialektor:
(Gegërisht)
Unë “votojsha” e ti “rrishe” në heshtje, kur të “thojke” kryesuesi a jeni gati për votim. Ne i “ngritshim” gishtat e ju “shikojshit” kush po votojnë. Ata “konstatojshin” rezultatin dhe “vazhdojshin” punën me rend të ditës …
(Toskërisht)
GJINKALLA DHE MILINGONA
Ç’ ”bënje” verës ti, o gjinkallë?
Kur unë “mblidhnja”grurë lëmë më lëmë?
Unë tërë kohën “këndonja”,
E tani s’kam ç’të ha.
Po meqë “këndonje” në verë
Tani pse s’kërcen?
Të tilla folje të shkruara me gabime janë edhe ato si vijon:
pija dhe jo pinja
këndoja dhe jo këndonja
bëja dhe jo bënja
laja dhe jo lanja
flija dhe jo flinja
Ndërkohë, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), ka kristalizuar njëherë e mirë se cilat janë mbaresat e pranuara (standarde) të kohës së pakryer, si në tekstin:
Atëherë, kur “shkoja” unë në shkollë, nuk “kishte”shkolla nëntëvjeçare nëpër fshatra, prandaj çdo ditë “udhëtonim” nga disa kilometra më këmbë. Shpesh kur “binte” borë e madhe, nuk mund “të shkonim” në shkollë derisa “shkrihej” bora. “Mësonim” në kushte të vështira. Nuk “kishte” as libra si sot, por “merrnim” shënime nga arsimtarët. Posa “ktheheshim” në shtëpi, i “bënim” detyrat e pastaj “u ndihmonim” prindërve. Në mbrëmje “mblidheshim” përreth gjyshit, e ai “fillonte” të na “tregonte” përralla derisa na ”zinte” gjumi.
~Prof. Hamdi Mazreku
84 Shikime
Komente