oraeshqipes

PËR DISA FORMULIME DHE INTERPRETIME TË QARTA GJUHËSORE NË GRAMATIKËN E SAMI FRASHËRIT

Admin Admin Postuar: 26 Janar, 2024

8 Shikime

Komente


PËR DISA FORMULIME DHE INTERPRETIME TË QARTA GJUHËSORE NË GRAMATIKËN E SAMI FRASHËRIT

PËR DISA FORMULIME DHE INTERPRETIME TË QARTA GJUHËSORE NË GRAMATIKËN E SAMI FRASHËRIT— Sistemi foljor.

Sistemi foljor në veprën e Samiut del shumë i larmishëm. Ai ka trajtuar mjaft mirë shumë veçori dhe forma të sistemit foljor të shqipes së lashtë. Lidhur me këtë prof.Shaban Demiraj ka shkruar:“...duhet pasur parasysh se disa shkrimtarë si Kristoforidhi, dy vëllezërit frashëriotë etj. kanë gjallëruar edhe forma, që ishin bërë a kishin nisur të bëheshin arkaike”. Në të vërtetë këtu kemi një si sintezë të sistemit foljor të shkrimtarëve tanë të vjetër, të gjuhës së folur të Frashërit dhe të shqipes së shkruar të periudhës së Rilindjes.

Autori për të pasqyruar shumësinë e formave gramatikore të foljeve të gjuhës shqipe, me gjasë i ndikuar edhe nga bashkëkohësi i tij Kristoforidhi, përdorte forma foljore nga më të ndryshmet, duke shënuar 16 trajta kohore vetëm për mënyrën dëftore, ku 8, përkatësisht 10 i takojnë kësaj mënyre. Po të pranojmë se “i-pritm’ i-parthim (dotë thosha) - e ardhshmja e së shkuarës, ku këto dy nëndarje të kohës së ardhshme si të tilla dalin të emërtuara për herë të parë në Gramatikën e ASHSH-së, mund të themi me të drejtë se gramatika e Sami Frashërit u shërbente shumë gjuhëtarëve si frymëzim dhe burim i pashtershëm për kërkime të ndryshme gjuhësore. Duke trajtuar foljen Samiu ka përfshirë në tërësi kuptimin leksikor dhe veçoritë morfologjike të saj me një kontinuitet të jashtëzakonshëm shpjegimi. Ai në këtë rast i ka përfishirë të gjitha kategoritë gramatikore të foljes. Disa prej tyre janë interpretuar mjaft drejt. Kështu, për t’i shpjeguar diatezat e foljes, autori është nisur nga foljet kalimtare(“ngasëse”) dhe jokalimtare (“mosngasëse”). Sipas tij “folja ngasëse ndahet në katër: punëtore(veprore - M.N.), si: godit, vras, pyes; pësonjëtore (pësore - M.N.),si: goditemë, vritemë, pyetemë; vetëvetore (vetvetore), si: lahem (lanj vetë vetëhenë), ruhemë (ruanj vetë vetëhenë); mesëtore (mesore), si: qahemë, përtypsemë”.

Edhe Gramatika e ASHSH-së i njeh këto katër diateza, përkundër disa gramatikave të tjera që njohin vetëm tri diateza: veprore, pësore,vetvetore. Ecuria e shpjegimit të diatezave me anë të foljeve kalimtare e jokalimtare, pa marrë parasysh se këto në shumë gramatika janë shpjeguar veçmas, më duket e drejtë.

Pastaj, për t’idalluar foljet që bëjnë pjesë në njërin prej pesë zgjedhimeve nga ato që kanë mbetur jashtë këtyre, Samiu ka shkruar për foljet e rregullta dhe foljet e parregullta. Ja, si i dallon këto:”Të-rregullta thuhenë foljetë që përkthehenë (zgjedhohen) pas një përkthimi me rregullë të-përgjithçime; të-parregullta thuhen’ ato të cilavet ca a gjithë mendyrat’ e motet u përkthehenë jashtë rregullës a me një rregullë me vetëhe”. Samiu i ka shënuar foljet e parregullta në pjesore sipas rendit alfabetik, duke i dhënë kohët në të cilat ato dalin të parregullta. Dimë se numri i foljeve të parregullta varet nga kriteret që merren për klasifikimin e foljeve në zgjedhime.

Kështu,derisa Samiu ka shënuar 55 folje të parregullta, në “Gramatika e gjuhës shqipe 1”, Tiranë, 2002, figurojnë 14, të ndara në folje të parregullta supletive dhe josupletive.

-Prof. Musa Nushi

Admin
Autor

Admin


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj