PRAPASHTESAT TEMËFORMUESE TË PJESOREVE TË FOLJEVE TË GJUHËS STANDARDE SHQIPE: -RË, -R, -Ë, -UR, -NË
-1718184033791.png)
PRAPASHTESAT TEMËFORMUESE TË PJESOREVE TË FOLJEVE TË GJUHËS STANDARDE SHQIPE: -RË, -R, -Ë, -UR, -NË
“Shqipja standarde qoftë për bazën dialektore, qoftë për njësimin e saj, ka ndjekur po atë rrugë si dhe vendet e tjera.”(A.D.) Shumë elemente të njërit dhe tjetrit dialekt janë gërshetuar mirë dhe sot bashkëjetojnë në harmoni në gjuhën standarde. Kjo bashkëjetesë e tipareve tanimë mbidialektore, nuk është e përkryer, por ato mund të përmirësohen, të plotësohen e të pasurohen, vlera këto kombëtare.
Kështu, sot nga dialekti toskë, janë ndërthurur në standardin e gjuhës shqipe më shumë prapashtesa temëformuese të pjesoreve sesa në dialektin gegë, të cilat do t’i cek.
Në standardin e mëparshëm të shqipes, ku për bazë ishte dialekti gegë, kishim vetëm një prapashtesë të pjesoreve -ë, që përdorej te
foljet që mbaronin me temë në bashkëtingëllore, si p.sh.: mbyll - mbyllë,
hap - hapë, marr - marrë, dal - dalë, sjell - sjellë etj.
Pjesoret e foljeve me zanore dhe togje zanoresh nuk kanë pasur fare prapashtesa temëformuese ose themi, kanë pasur -0 prapashtesa.
Në standardin e sotëm të gjuhës shqipe përdoren 5 prapashtesa të pjesoreve të foljeve: -rë, -r, -ë, -ur dhe-në.
Prapashtesa -rë përdoret te foljet themelore me temë në zanore me mbaresën -j në kohën e tashme të mënyrës dëftore në vetën e parë,
si p.sh.: la-j - la-rë, /tha-j - tha-rë, /ble-j - ble- rë, / bë-j - bë-rë, . fshi-j - fshi-rë etj.
Ndërsa prapashtesa -r përdoret te foljet themelore me temë të pjesores së gegërishtes me diftongun -ue (-ua) dhe -ye, si: punua-r(punue), lexua-r (lexue), veprua-r (veprue); thye-r (thye), lye-r (lye),thye-r (thye) etj.
Prapashtesa temëformuese e pjesoreve -ë përdoret te foljet apofonike, që e bëjnë këmbimin e temës themelore të foljes me temën e kohës së kryer të thjeshtë -a- në -o- dhe -je- në -o-, si p.sh.:dal - dola -dal-ë, / marr - mora - marr-ë; / mbjell - mbolla - mbjell-ë,vjel - vola - vjel-ë etj.
Prapashtesa e pjesoreve -ur përdoret te foljet themelore që tema u mbaron me bashkëtingëllore në përgjithësi, si: mbyll - mbyll-ur,hap - hap-ur, fal - fal-ur, ndërthur - ndërthur-ur, përball - përball-ur,shpall - shpall-ur etj.
Prapashtesa e pjesoreve me -në përdoret te disa folje themelore që mbarojnë me zanore dhe që nuk marrin mbaresë në tri vetat e kohës së tashme të mënyrës dërtore të numrit njëjës, si: zë - zë-në, vë - vë-në, shtie - shtë-në, shpie - shpë-në dhe te disa folje të parregullta, si p.sh.:
jam - qe-në, jap - dhë-në, ha - ngrë-në; lë -lë-në, them - thë-në.
-Prof. Musa Nushi
13 Shikime
Komente