oraeshqipes

DREJTSHKRIMI I FOLJEVE TË PARREGULLTA

Administrator Administrator Postuar: 16 Shkurt, 2024

5 Shikime

Komente


DREJTSHKRIMI I FOLJEVE TË PARREGULLTA

DREJTSHKRIMI I FOLJEVE TË PARREGULLTA

Në mesin e kategorive leksike-gramatikore të gjuhës shqipe, folja është pjesë e zgjedhueshme e ligjëratës, e cila gjatë përdorimit të saj në fjali del me forma të ndryshme gramatikore sipas mënyrës, kohës, vetës, numrit e diatezës.

Foljet në gjuhën shqipe klasifikohen në tri zgjedhime:

 Zgjedhimi i parë, foljet me temë në zanore a tog zanor, që në vetën e parë njëjës në të tashmen e dëftores marrin mbaresën “-j”, si: “la-j, rrëfe-j, puno-j; shkrua-j, lye-j, zie-j” etj.;

 Zgjedhimi i dytë, përfshin foljet me temë në bashkëtingëllore, përveç “-j”-së që në tri vetat e njëjësit këto dalin me mbaresë zero si: “hap, mat, dal, korr, shes, hip, vulos, nis, mbledh, nxjerr”, etj.;

 Zgjedhimi i tretë, hyjnë foljet me temë në zanore a tog zanor, por në tri vetat e njëjësit në të tashmen e dëftores dalin me mbaresë zero, si: “vë, lë, di, fle, pi; shtie, shpie” etj.

Megjithatë, një numër i kufizuar foljesh (14 sosh), të cilat nuk futen në asnjërin nga zgjedhimet e sipërshënuara, kur zgjedhohen, pësojnë ndryshime të mëdha në temat e tyre dhe kësodore nuk mund të përfshihen në asnjërin nga zgjedhimet e përmendura. Këto folje quhen: “folje të parregullta”.

Pra, këto folje nuk i përfillin rregullat e trajtimit të foljeve nëpër kohë, e rrjedhimisht as nëpër kategoritë e tjera gramatikore. Foljet e parregullta janë ato folje, të cilat kanë të paktën një temë kryesisht ndryshe, dhe ato folje tema e të cilave gjatë zgjedhimit, pëson ndërrime tingujsh. Ato ndahen në “FOLJE SUPLETIVE” dhe “JOSUPLETIVE.”

▪︎ Folje të parregullta “supletive” (që ndërrojnë plotësisht temën në të kryerën e thjeshtë dhe në pjesore), janë:

1. ja-m qe-shë qe-në

2. ka-m pat-a pas-ur

3. bie prur-a prur-ë

4. bie ra-shë rë-në

5. ha hëngër-a ngrë-në

6. jap dha-shë dhë-në

7. rri ndenj- a ndenj- ur

8. shoh pa-shë pa-rë

9. vi-j erdh-a ardh-ur

▪︎ Foljet e parregullta “josupletive”, (që ndryshojnë pjesërisht temën në të kryerën e tjeshtë dhe në pjesore), si:

1. the-m tha-shë thë - në

2. dua de-sha dash -ur

3. lë la-shë lë-në

4. vdes vdiq-a vdek- ur

5. vete vajt-a vajt- ur.

Drejtshkrimi i foljeve të parregullta

▪︎ Në të pakryeren zanorja “a” e temës së foljes “jap” ndërrohet në “e” dhe jo: në “i” jepja jo: jipja as japja;

▪︎Veta e parë dhe dytë njëjës te folja “them” janë: “thosha”dhe jo: “thoshja”; “thoshe” dhe jo: “thoshje” apo “thoje ;

▪︎ Folja “rri” në të kryerën e thjeshtë bën “ndenja” dhe jo “ndejta” apo “rritur”, trajta në pjesore “ndenjur” dhe jo “ndejtur”;

▪︎ Folja “bie” përdoret në dy kuptime të ndryshme dhe ka këto forma në të kryerën e thjeshtë: “bie, rashë” dhe jo “rava”; “bie prura” dhe jo “solla”;

▪︎Trajta e pjesores “ha” është “ngrënë ” dhe jo “hëngra”;

▪︎ Në të tashmen e dëftores: “ne hamë” dhe jo “hajmë”, ata “hanë” dhe jo “hajnë”;

▪︎ Folja “shoh” në të kryerën e thjeshtë bën “pashë” dhe jo “pava”;

▪︎ Folja “jap” në të kryerën e thjeshtë, “dhashë”, dhe jo: “japa”; ne “themi” e jo: “thomi”, ju “thoni” jo: “thuani”. Forma joveprore “thuhet” jo: “thohet”; në shumës të dëftores merr mbaresat: “-im,-ni, -në”, pra “vemi, veni, venë” dhe jo: “vejnë”;

▪︎ Në lidhore dhe në të ardhmen e tashme del me format: unë (të/do të) “vete”, ti (të/do të) “vesh”, ai, ajo (të/do të) “vejë”; ne (të/do të) “vemi”, ju (të/do të) “veni”, ata/ato (të/do të) “venë”, jo: “vejnë”;

▪︎ Folja “dua” në të tashmen e dëftores veta e parë (unë) “dua” në vetën e dytë dhe të tretë njëjës e mbledh togun zanor “ua” në “o”, (ti, ai, ajo) “do” dhe në shumës del me format: “duam, doni, duan”, ndërsa në të kryerën e thjeshtë në joveprore merr format: “u desha”, “u deshe”, “u desh”; “u deshëm”, “u deshët”, “u deshën” dhe jo: “u deshtën” apo “u dashtën”.

▪︎ Folja “vij” ka vetëm diatezën veprore dhe në dëftore merr format: unë “vij”, (ti, ai), “vjen” dhe jo: “vie”. etj.

▪︎ Folja “vdes” në të kryerën e thjeshtë veta e parë njëjës bën “vdiqa” dhe jo: “vdeka”.

Për këtë arsye, foljet e parregullta shkaktojnë vështirësi për mësimin e gjuhëve nga folësit e një gjuhe tjetër. P.sh.: një person që e ka anglishten gjuhë amtare, gjatë të të mësuarit të shqipes do të hasë në vështirësi për t’i mësuar foljet e parregullta të shqipes, pasi foljet e parregullta nuk ndjekin një model trajtimi, por mësohen pothuajse përmendsh.

Njëjtë ndodh me ne si folës të shqipes, kur i mësojmë foljet e anglishtes dhe duhet t’i mësojmë pothuajse përmendsh kohët e ndryshme të foljeve të parregullta.

~Prof. Hamdi Mazreku

Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj