oraeshqipes

E KRYERA E THJESHTË DHE PËRDORIMI I SAJ

Administrator Administrator Postuar: 2 Shkurt, 2024

94 Shikime

Komente


E KRYERA E THJESHTË DHE PËRDORIMI I SAJ

E KRYERA E THJESHTË DHE PËRDORIMI I SAJ

Në gjuhën shqipe, folja përbën klasën më të gjerë të fjalëve dhe më të vështirën për t’u zotëruar si duhet, pasi ka një tërësi formash të zgjedhimit (eptimit).

Ç’është e vërteta, e kryera e thjeshtë (aoristi) është njëra nga kohët e shkuara të mënyrës dëftore, e cila ka një shtrirje të gjerë në gjuhën shqipe. E kryera e thjeshtë ka një ndërtim sintetik (të thjeshtë), sikurse edhe e tashmja, e pakryera dhe e ardhmja e dëftores.

Foljet në të kryerën e thjeshtë marrin mbaresat:

1. -va, -ve, -i/u; -m(ë), -t(ë), -n(ë), kur folja mbaron me temë në zanore, si: punova, punove, punoi; punuam, punuat, punuan; ose lava, lave, lau; lamë, latë, lanë;

2. -a, -e, -i/u; -ëm, -ët, -ën, kur folja mbaron me bashkëtingëllore, si: hapa, hape, hapi; hapëm, hapët, hapën.

3. Foljet që dalin me temë me ,,-o” në vetën e tretë njëjës marrin ,,-i” (ai) punoi, lexoi, shkoi etj. foljet që dalin me temë në ,,-k, -g, -h” ose zanore të theksuar, në vetën e tretë njëjës marrin ,,-u”, si: preku, lagu, lehu, etj.

4. Folet që dalin me temë në ,,-ua, -ye” në shumës marrin mbaresat: -m, -t, -n, si: punuam, punuat, punuan; thyem, thyet, thyen etj.

• Disa folje pësojnë ndërrime tingujsh në temë, si: dal-dola, heq-hoqa, pjek-poqa, marr-mora, bjerr-bora, sjell-solla, përcjell-përcolla, vjel-vola, mjel-mola; shkruaj-shkrova, thyej-theva; shes-shita, pres-prita, zbres-zbrita, bërtas-bërtita, etj.

• Foljet në kohën e kryer të thjeshtë tregojnë:

Një veprim që ka përfunduar në të shkuarën, që nuk ka lidhje me momentin kur flasim, p.sh.: Dje ,,pashë" një film të mrekullueshëm.

Veprime me vlerë mbarëkohore: Punove, gëzove.

Një veprim që do të kryhet në të ardhmen: Ja, të lexoj edhe këtë faqe se ,,erdha".

Ja se si do të duken mbaresat e të kryerës së thjeshtë sipas ndarjes së foljeve në zgjedhime:

E kryera e thjeshtë

Zgjedhimi i parë: lava, lave, lau; lamë, latë, lanë;

Zgjedhimi i dytë:zbrita, zbrite, zbriti; zbritëm, zbritët, zbritën;

Zgjedhimi i tretë:zura, zure, zuri; zumë, zutë, zunë.

Gjuha shqipe, siç dihet, ka dy trajta kryesore të kohës së kryer të thjeshtë: aoristin sigmatik (qeshë, lashë, pashë, rashë, dhashë, thashë) dhe aoristin asigmatik (lidha, godita, gjeta, lava) etj.

Aoristi sigmatik është fundërresë e një aoristi të lashtë etj.

Disa folje në kohën e kryer të thjeshtë dalin me të njëjtën temë si në të tashmen, ashtu edhe në të kryerën e thjeshtë foljet e klasës I të zgjedhimit I dhe të zgjedhimit II, si p.sh.: hap~hap-a, mbyll~mbyll-a, mat~mat-a, rrit~rrit-a, si dhe folja me temë në zanore pi~pi-v-a.

Në shqipen e dokumentuar dalin me tema supletive në të kryerën e thjeshtë nëntë folje, nga të cilat katër janë të tipit sigmatik dhe pesë janë të tipit josigmatik. Këto janë: 1) (jam~) qe-sh-ë; 2) (kam~) pat-a; 3) (bie~) ra-sh-ë; 4) (bie~) prur-a; 5) (ha~) hëngr-a; 6) (jap~) dha-sh-ë; 7) (rri~) ndenj-a; (shoh~) pa-sh-ë; 9) (vij~) erdh-a.

Foljet me togun zanor ,,-ua-”, sipas ndryshimeve që paraqesin gjatë zgjedhimit, mund t’i grumbullojmë në dy grupe:

Foljet e njërit grup si: druaj, gjuaj, luaj, quaj, ruaj, dhe vuaj në kohën e kryer të thjeshtë e zgjerojnë temën me prapashtesën temëformuese ,,-jt,” pra: druajta, gjuajta, luajta, quajta, ruajta, vuajta etj. ashtu sikur edhe foljet mbajta, mbrojta etj.

Pjesa tjetër e foljes, megjithëse në të njëjtat kushte fonetike, paraqesin ndryshime të dukshme nga foljet e lartpërmendura.

Foljet bluaj, gatuaj, kruaj, rruaj, shkruaj, shquaj, truaj, si dhe ndonjë folje e prejardhur nga këto (mbishkruaj, nënshkruaj, parashkruaj, përshkruaj, përquaj) këtë tog zanor në kohën e kryer të thjeshtë të mënyrës dëftore e ndërrojnë me ,,-o-”, p.sh.: blova, gatova, krova, nënshkrova, përshkrova etj.

Foljet me togun zanor ,,-ye-” si rregull, në numrin njëjës të së kryerës së thjeshtë, e ndërrojnë ,,-ye”-në në ,,-e”, p.sh.: gërryej ~ gërreva, kryej ~kreva, lyej ~ leva, ngjyej ~ngjeva, përlyej ~përleva, rryej ~rreva, shqyej ~shqeva, shlyej~shleva, zhgërryej ~zhgërreva etj.

Krejt në fund, le të themi se po t’i ndjekim këto rregulla të lartshënuara, sigurisht se do të jemi të pagabueshëm në të folur e veçanërisht në të shkruar dhe, kështu do të jemi zbatues të denjë të rregullave gramatikore; e kundërta do shkasim çdo ditë e më shumë në gabime.

~Prof. Hamdi Mazreku

Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj