oraeshqipes

A KA URDHËRORJA VETËN E PARË ?

Administrator Administrator Postuar: 8 Nëntor, 2024

5 Shikime

Komente


A KA URDHËRORJA VETËN E PARË ?

Mënyra urdhërore ka forma gramatikore vetëm në vetën e dytë njëjës dhe shumës.

Në kohën e tashme të vetës së dytë shumës, të gjitha foljet dalin me të njëjtën formë si në vetën e dytë shumës të së tashmes së dëftores. Ka dy forma homonime që dallohen vetëm nga intonacioni, krahaso:

(Ju) punoni – punoni!

Kjo mënyrë përdoret mjaft shpesh dhe ka po ato trajta gramatikore të mirëfillta të vetës së dytë njëjës dhe shumës të kohës së tashme, që përdoret në mbarë shqipen, si: “(Ti) lidh, korr, prit, hyn, laj;

(Ju) lidhni, korrni, pritni, hyni, lani” etj.

Trajtat e shkurtra të përemrave vetorë dhe pjesëza “u” zakonisht u ngjiten prapa foljeve të urdhërores në pozicionin proklizë, por ka raste që t’u prapavihen edhe në pozicionin enklizë, si: “më trego! ma merr! na thirr"! etj. Ose:

"tregoma! merrma! thirrna"! P.sh.: Merrma një këngë, o Sali Bajrami! – Premja kryet dushmanëve!”

Më së miri, po japim këtu një pasqyrë të përdorimit të trajtave të shkurtra pas foljeve konsonatike në vetën e dytë njëjës e shumës të urdhërores: ”jep-më, merr-më, kap-më, sill-më; jepma-ni, merrma-ni, kapma-ni” etj.

Format joveprore të urdhërores formohen nga tema e së tashmes joveprore, duke i shtuar pjesëzën foljore “u” midis temës dhe mbaresës me temë në zanore, pra, para kësaj shtohet një “-h-“, p.sh.: “lahu, mbahu, kruhu, lyhu, fshihu, kthehu” etj.

Fjalitë mohore urdhërore formohen me pjesëzën “mos,” e cila rri para foljes në mënyrën urdhërore:

“mos fol, mos merr, mos hani, mos flisni, mos shtini” etj.

Foljet e zgjedhimit të parë me temë në “o, e, i,” në vetën e dytë njëjës urdhërore, nuk marrin mbaresë (me përjashtime): “puno, mëso, shko; rrëfe, shpërble; fshi” etj. foljet e tjera të zgjedhimit të parë (me disa përjashtime), në vetën e dytë njëjës marrin mbaresën “-j”: “mba-j, la-j, shkrua-j, lye-j, përzie-j, bë-j ”etj.

Foljet e klasës së dytë të zgjedhimit të dytë (me disa përjashtime), në vetën e dytë njëjës, zanoren “e” ose togun “je”, i ndërrojnë në “i”: “(ti) del/dil, djeg/digj, vjel/vil” etj. Më poshtë po e japim formën e urdhërores së disa foljeve në vetën e dytë njëjës: “fle/fli, ngre/ngri, jam/ji, kam/ki, shoh/shih; vë/vër, zë/zër, përzë/përzër, shpie/shpjer, shtie/shtjer, hyj/hyr, bie/bjer, lë/lër” etj.

Folja në mënyrën urdhërore shpreh një dëshirë në formë urdhëri, kërkese, këshille, lutjeje, porosie etj.

- Urdhër: Mbylle derën se është ftohtë!

- Kërkesë: Plotësoji këta formularë se duhet t’i dorëzojmë.

- Këshillë: Shko në shtëpi dhe pi një lugë sirup!

- Lutje: Më trego të drejtën, si qëndronte puna?

- Porosi: Mos harro të ma sjellësh librin.

Në vetën e dytë njëjës të urdhërores folja:

- del pa mbaresë: Mëso shumë që të kalosh shkëlqyeshëm.

- merr mbaresën “-j”: Shkruaj edhe ti diçka për vete.

- pëson ndërrime tingujsh: Fli, fli, se pushim e ke nesër. (fle)

- del me temë të zgjeruar me “-r”: Zër edhe ti vend aty! (zë)

- e njëjtë me vetën e dytë njëjës të dëftores: Mos merr njeri me vete!

 Vetës së tretë, e cila përfaqëson persona që nuk marrin pjesë në bisedë, nuk mund t’u jepet urdhër, por mund t’u bëhet porosi, p.sh.: Thuaji Dardanit “le të shkojë”në shkollë. Trajtat foljore “le të shkojë, le të presin, le të flasin”, formohen nga mënyra lidhore me pjesëzën “le”.

Është me interes të shënohet lidhorja e vetës së tretë njëjës e shumës e tipit “le të shkojë”/ “le të shkojnë” me anën e së cilës shqipfolësi jep urdhër në mënyrë të tërthortë me nuancë lejimi.

 (Në të folur kemi hasur edhe formën me pjesëzat: “de” dhe “ne”, p.sh.: “de” t’shkon, ose “ne” t’shkon. P.sh.: Shpejto se po të qan djali, “de” t’kerset! Thuaju “ne” t’shkojnë se s’jam gati!) etj.

Shtojcë:

A ka urdhërorja vetën e parë?

Gjatë hulumtimeve tona, në rrethin ku jetoj dhe më gjerë, kemi vënë re se mënyra urdhërore ngandonjëherë ndërtohet edhe në vetën e parë njëjës, kur personi i jep vetes urdhër për të kryer një punë, si:

Çohu moj Hatixhe laj enët, se rejat e sotit… (urdhër vetvetes, Hatixheja);

Puno, Agron, puno se djemtë të ikën jashtë! (urdhër vetes, Agroni);

O dil Azem hapju derën se nuk çohet kush! (Azemi);

Mil dhentë vetë, mil, ku nuk i shita të gjitha, bre! etj.

-Prof. Hamdi Mazreku

Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj