oraeshqipes

TAKIMI I DY SHKRONJAVE TË NJËJTA

Administrator Administrator Postuar: 20 Prill, 2024

4 Shikime

Komente


TAKIMI I DY SHKRONJAVE TË NJËJTA

TAKIMI I DY SHKRONJAVE TË NJËJTA

Në gjuhën shqipe kur shkruajmë shpeshherë na dalin fjalë në të cilat vihen re që dy shkronja të njëjta vijnë njëra pas tjetrës dhe në këtë formim fjalësh a trajtash, shkruhen të dyja. Raste të tilla hasim shpesh qoftë nga ndjekja e dy zanoreve apo bashkëtingëlloreve të njëjta.

a) Rregulla I:

Kur në formim fjalësh takohen dy zanore të njëjta ato shkruhen të dyja, si:

• i paaftë, i paafrueshëm, i paanshëm, paanësi, i paarmatosur, i paarritshëm, i porsaardhur;

deetimologji, kryeengjëll; antiimperialist, alkool, joalkoolike, autoofiçinë, joobjektiv, joorganik, jooksidues, joorigjinal, mikroorganizëm, kooperativë, koordinim, koordinator, zoologji etj.

Por, jo rrallë ndeshim që këto fjalë në mungesë të njohurive drejtshkrimore t’i gjejmë të shkruara si vijon:

Ky njeri është " i paftë” në punën që kryen. Në vend që: " i paaftë…”

Gjyqtari i ndeshjes ishe " i pananshëm” gjatë referimit. Në vend që: " i paanshëm”…

Motra ime është "kordinatore” e projektit. Në vend që: … është "koordinatore”…

Në biologji mësuam për "mikrorganizmat”. Në vend që: për "mikroorganizmat”.

Nxënësit e klasave të 9-ta vizituan kopshtin "zologjik”. Në vend që: … kopshtin "zoologjik” etj.

b) Rregull II:

Kur në formim fjalësh a trajtash takohen dy (bashkëtingëllore) të njëjta njëra prej të cilave mund të bëjë pjesë në një dyshkronjësh, ato shkruhen të dyja:

• kënddrejtë, nënndareje; kundërrevolucion, kundërreformë, kundërraketë; mossukses, mossulmim, i paqasshëm, zëvendëssekretar; keqqeverisje; mishshitës, veshshkurtër; në arrittë, në mos e godittë, e gjettë e mira, në u mbyttë, në ndrittë; në më prittë; në pyettë, në u trettë; apo i kujdesshëm, i pjesshëm; leshhollë, shpeshherë, etj.

 K u j d e s!

Në rastet e takimit të shkronjës " r ” me " rr ", ose " l " me " ll ", shkruhet vetëm " rr " ose " Il ", si p.sh.:

përreth, dembellëk, hamallëk, jeshillëk, etj.

• Trajtat e vetës së tretë njëjës të së pakryerës dëftore, lidhore e kushtore të foljeve me temë me " -t ", në përputhje me shqiptimin e sotëm letrar shkruhen me " -st " dhe jo me " -tt ": (do të) fliste, (do të) godiste, (do të) maste, (do të) nuhaste, (do të) vriste, (do të) zbriste, (do të) zbuste, (do të) ngjiste, (do të) paraqiste, (do të) shëtiste, (do të) zgjaste, do të) priste, etj.

Megjithatë edhe te takimi i dy bashkëtingëlloreve të njëjta gjejmë plot raste të shkruara gabimisht p.sh.:

Sot mësuam për trekëndëshin "këndrejtë”. Në vend që: … "kënddrejtë”;

" Zëvendsekretari” amerikan deklaroi… Në vend që: " Zëvendëssekretari” amerikan…;

Komuna po akuzohet për "keqeverisje”… Në vend që: për "keqqeverisje”.

Mishin e bleva te " mishitësi”… Në vend që te "mishshitësi”.

Ju "gjetë” e mira! Në vend që: Ju "gjettë” e mira. etj.

" Përrreth” shkollës kishte pemë. Në vend që "përreth” shkollës…

Kemi specialitete me jeshilllëk. Në vend që: … me jeshillëk.

~Prof. Hamdi Mazreku


Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj