oraeshqipes

KOMPOZITAT NË GJUHËN SHQIPE

Administrator Administrator Postuar: 24 Maj, 2024

15 Shikime

Komente


KOMPOZITAT NË GJUHËN SHQIPE

KOMPOZITAT NË GJUHËN SHQIPE

Kompozimi është mënyra e formimit të fjalëve të reja, ku njëra përcakton të dytën. Fjalë të përbëra janë ato fjalë të bashkuara nga dy ose më shumë tema në një fjalë të vetme, ku në formimet e tyre gjejmë “emra, mbiemra, folje e ndajfolje”, dhe nuk mungojnë as rastet me temë “numërorësh dhe përemrash”.

Kompozimi pas prapashtesimit, është mënyra më prodhimtare për formimin e emrave të rinj. Emra të përbërë ose kompozita quhen emrat e formuar me bashkimin e dy a më shumë fjalëve në një fjalë të vetme, si: “kryeqytet (krye+qytet), bukëpjekës, bregdet, verilindje, armëpushim, drejtshkrim, ujësjellës, rrufepritës, Kryezi, Gurakuq, vëmendje, marrëdhënie, veshmbathje” etj.

Sipas marrëdhënieve që kanë ndërmjet tyre gjymtyrët përbërëse, kompozitat në përgjithësi, si edhe emrat e përbërë ndahen në dy lloje kryesore:

a) Kompozita këpujore dhe

b) Kompozita përcaktore

Kompozitat këpujore ose bashkërenditëse janë fjalët e përbëra prej dy gjymtyrësh, të cilat kanë lidhje të bashkërenditura a të pavarura ndërmjet tyre. Gjymtyrët përbërëse të tyre plotësojnë baras njëra-tjetrën. P.sh.: “marrëdhënie, (marrje+dhënie), shitblerje, (shitje+blerje), juglindje (jug+lindje), bregdet, (breg+det)” etj.

Kompozitat përcaktore ose nënrenditëse janë fjalë të përbëra, pra emra të përbërë, prej dy gjymtrëve nga të cilat njëra përcakton tjetrën, përkatësisht e para të dytën ose e dyta të parën p.sh.: “kryeqytet (krye) e përcakton të dytën (qytet)”. Të tilla janë kompozitat, si: “ orëndreqës, kryengritës, botëkuptim, ditëlindje, luledielli, drejtpeshim, rrufepritës, ujësjellës” etj. ose kur e dyta përcakton të parën, si: “ fatbardhë (fat+bardhë), fatzi, bregdet” etj.

Kompozitat janë të përdorura dendur edhe në vepra letrare nga shkrimtarët. Ja si i ndeshim këto tipe kompozitash te romani “Prilli i thyer” i Ismail Kadaresë.

(A n a l i z ë):

Tipat kryesore të kompozitave:

1) emër + emër:

Gjorgu i Berishajve shtiu mbi Zef “Kryeqyqen”. Paska ardhur ky “gjeometri” siç i thua ti. Ndezi një llambë “vajguri”, që e vari mbi një gozhdë. E la ndërkaq në “gjysmëterr”, ashtu si gjithë të tjerët. Një harrim, një “armëpushim”, një shtyrje afati. Po t’i shikosh me “gjakftohtësi”, janë gjëra të thjeshta. Punon në montimin e një “radiostacioni”, i tha Rudi shkrimtarit D.D.

2) emër + mbiemër:

Zilet e bagëtive që po ktheheshin në fshatin “Brezftoht”. Nëna e kishte larë më në fund këmishën, që “fatkeqi ” e kishte të veshur atë ditë. Po ai tjetri “syçelëti”, kush qe? Gruaja kishte qenë “shtatzënë”, me fëmijë mashkull. ”Ujëbardha” e Epërme u duk më përpara seç e prisnin.

3) përemër + emër:

Midis asaj brejtjeje dukeshin “gjithfarë ” koka gozhdash e copëra hekurash. Punën e bënin me “vetëmohim”. Armët i mbanin për “vetëmbrojtje”.

4) numëror + emër:

Ashtu siç nuk kishte ikur dot gjyshi, stërgjyshi, “katragjyshi ” i tij pesëdhjetë vjet më parë. Asaj i dukej se çdo gjë që thuhej për Rrafshin, merrte aty për aty një kuptim “dyfish” mjegullor. Të gjithë e kuptonin se ishte fjala për besën e vogël, “njëzetekatërorëshën”.

5) numëror + emër në rrjedhore:

Gjatë “shtatëdhjetëvjetësh” të armiqësisë me Kryeqyqet, familja e Berishajve kishte pasur njëzet e dy dorërasë. Ç’do të bësh me besën “ tridhjetëditëshe”? Në qoftë se ai ka bërë vrasjen para “pesëditësh”, siç tha bujtinari dhe në qoftë se ka marrë besën e madhe, domethënë besën “njëmuajshe”, atëherë nuk i mbetet veçse njëzet e pesë ditë jetë normale për të jetuar.

6) emër + folje:

Megjithëse ishte prita e dytë për “gjakmarrje” në jetën e tij, njeriu që duhet të vriste ishte po ai i pritës së parë. Ai “buzëqeshi” me vete. Ai kthehej e rikthehej te rregullat e “mikpritjes”. Ndali “frymëmarrjen” dhe shtiu. Në thelb duhet kërkuar raporti “borxhdhënës”dhe borxhli.

7) folje + emër:

Ai qe afruar te dritarja dhe diçka vështronte përjashta me “vëmendje”. Dhe vijonin fjalët për zanat e “shtojzovallet”, për rapsodët, homerikët e fundit të botës. Mirëpo e kishte hedhur poshtë këtë “hamendje”, duke menduar se po ishte ashtu.

8. ndajfolje + emër:

Ndërsa ndiqte me sy dengjet me “shumëngjyra”, brenda të cilëve ishte vendosur. E ëma hasi me të në një “mirëkuptim”. Të gjithë i akuzonin për “bashkëlidhje” me ata.

9) ndajfolje + folje:

I erdhi një “keqardhje” e tillë në çastin e fundit. Kanuni e “parashikonte” tronditjen nga vrasja dhe e lejonte të porositje kalimtarët për të bërë atë që ti nuk e bëre dot. Me mikun duhet të “bashkëveprosh” kudo për të mirën tonë.

~Prof. Hamdi Mazreku

Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj