oraeshqipes

T’I SHKRUAJMË DREJT NUMËRORËT

Administrator Administrator Postuar: 24 Maj, 2024

29 Shikime

Komente


T’I SHKRUAJMË DREJT NUMËRORËT

T’I SHKRUAJMË DREJT NUMËRORËT

Në gjuhën e sotme letrare shqipe vërehen gabime drejtshkrimore edhe në përdorimin e disa numërorëve. Numërorët themelorë nuk e kanë të përcaktuar gjininë: ata përdoren me formë të njëjtë, si atëherë kur e përcaktojnë një emër të gjinisë mashkullore, ashtu edhe atëherë kur përcaktojnë një emër të gjinisë femërore a asnjanëse. P.sh.: Me “një” lule s’del pranvera; Ai ka “pesë” fëmijë. etj.

• Nga kjo rregull bën përjashtim numërori “tre”, i cili e ndryshon formën sipas gjinisë së emrit që përcakton. Ky numëror kur shoqërohet me emra të gjinisë mashkullore del me formën “tre”si:

Ai ka “tre”djem si “tre” luanë; Ka mbetur vetëm me “tre” euro në xhep. Ti ke vetëm “tre”shokë të mirë.

Ndërsa kur shoqëron emra të gjinisë femërore del me formën “tri” me një “i” të gjatë, si:

Ato janë “tri” shoqe të mira; Të kërkova “tri” herë te shtëpia; I bleva “tri” fletore për matematikë; Për “tri” javë e ka përgatitur provimin. etj.

• Në gjuhën e folur standarde numërori “dy” duhet të dallohet për kah shqiptimi kur tregon frymorë të gjinisë mashkullore dhe, kur tregon frymorë a gjësende të gjinisë femërore. Kur tregon frymorë të gjinisë femërore duhet të shqiptohet me “y” të theksuar (të gjatë) edhe pse në gjuhën e shkruar nuk shënohet mbi të kurrfarë theksi grafik, p.sh.:

Sa vajza i ke? – “Dy.” Sa motra jeni ju? – “Dy.” (Me “y” të gjatë, të theksuar)

Ndërsa kur tregon objekte e frymorë të gjinisë mashkullore shqiptohet me “y” të zakonshme:

Sa djem i ke ti? – “Dy.” Sa vëllezër jeni ju? – “Dy”. (Me “y” të rëndomtë).

• Numërorët themelorë kur nuk shoqërojnë emrat, por vetëm i tregojnë ata, shoqërohen me nyjën e përparme “të” të numrit shumës. P.sh.:

“Të dy” erdhën, “të dyve” u foli; “Të dyja” erdhën, “të dyjave” u foli; “Të tre” kaluan, “të treve” u tha. Për gjininë femërore: “Të tria” kaluan, prej “të triave” mori nga një.

• Numërorët themelorë kur shënojnë një sasi të përafërt, lidhen mes veti me “vizë lidhëse” ose me lidhëzën veçuese “a” si:

Me “dy – tri” dhen nuk dilet në stan (ose me 2 – 3 dhen); Kanë ardhur “pesë – gjashtë” burra; Kemi pritur “tri – katër” orë jashtë. Ose me lidhëzën “a” si:

Ishin në takim “tridhjetë “a” katërdhjetë” studentë (ose 30 “a” 40 studentë); Dokumentat i mora “dhjetë “a” pesëmbëdhjetë” ditë ma herët. (ose 10 “a” 15 ditë).

• Numërorët themelorë të dhënë me shifra arabe, pas një emërtimi të caktuar ndahen nga ai me “vizë lidhëse” p.sh.:

General Dynamics F – 16”; Boeing B – 52, MiG - 35 etj.

• Pas numërorëve që shënojnë datën dhe muajin me shifra romake ose arabe vihet një pikë, si: “15.III.2024” ose “15.3.2024” (dhe jo: 15 – III – 2024 e as 15/3/2024). Kur muaji shkruhet me fjalë, atëherë nuk vihet kurrfarë shenje midis ditës, muajit e vitit: “15 mars 2024; 5 dhjetor 2023 etj.

• Numërorët themelorë që shënojnë festat e ndryshme, pa marrë parasysh se a jepen me shifra arabe ose me fjalë, nuk ndahen me kurrfarë “vize lidhëse” nga emërtimi i festës si:

”1 Maji ose Një Maji; 8 Marsi ose Tetë Marsi; 28 Nëntori ose Njëzet e tetë Nnëntori. etj.

• Disa numërorë themelorë shkruhen në formë të bashkuar, përkatësisht të përngjitur, disa të tjerë në formë të ndarë. Të bashkuar: “njëqind, dyqind, treqind” - “Njëqind lekë” etj., kurse në formë të ndarë: “një mijë, dy mijë, një milion, një miliard” etj. Në formë të përngjitur shkruhen edhe numërorët e ndajfoljezuar: “njëfish, trefish, katërfish etj.

• Numërorët rreshtorë, kur jepen me shifra arabe, shënohen me “nyjë të përparme” dhe ndahen nga prapashtesa me “vizë lidhëse” si:

“klasa e 8-të, mbledhja e 4-t, shekulli i 20-të; kjo doli e 5-ta, ai është i 6-ti; ose i 5-qindti, i 10-milionti” etj.

• Numërorët rreshtorë kur jepen me shifra romake, shkruhen “pa nyjë të përparme” dhe “pa prapashtesë”, si: “klasa II, sesioni XII, seanca XV, kreu VI (jo : kreu i VI-të” etj.

~Prof. Hamdi Mazreku

Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj