oraeshqipes

FJALËZA “ QË ” NË FUNKSIONE TË NDRYSHME SINTAKSORE

Administrator Administrator Postuar: 29 Prill, 2024

0 Shikime

Komente


FJALËZA “ QË ” NË FUNKSIONE TË NDRYSHME SINTAKSORE

FJALËZA “ QË ” NË FUNKSIONE TË NDRYSHME SINTAKSORE

Jo rrallë kur shkruajmë vëmë re se disa fjalë kalojnë nga një pjesë e ligjëratës në tjetrën, për shkak të kushteve sintaksore të përdorimit të saj. Në konversion shërben paradigma që fiton fjala e re dhe lidhjet e reja sintaksore të fjalës. Më poshtë do ta shohim si fjalëza “që” sipas konteksit kalon nga një funsion në tjetrin. P.sh.

- ”Që” ~ përemër lidhor, fjalë lidhëse;

- “Që” ~ lidhëz;

- “Që” ~ parafjalë;

- “Që” ~ ndajfolje;

- “Që” ~ pjesëz

QË I. përem.

1. Përdoret në vend të një emri a të një përemri tjetër njësoj në njëjës e në shumës për të lidhur një fjali të varur përcaktore, duke treguar frymorin a sendin që është përmendur. P.sh.: Ai “që” erdhi, ishte shoku im. Librat “që” më dhe, i lexova. Veriu “që” kishte fryrë tërë natën, pushoi në mëngjes. (* “që”-ja sa herë që zëvendësohet me: (i cili, e cila, të cilët, të cilat), është përemër lidhor).

2. bised. Përdoret në rasa të zhdrejta me ose pa parafjalë dhe me kuptimin e fjalëve lidhëse: ku, kur. P.sh.: Ai “që” i fole ti, ishte miku im. E morën ushtar ditën “që” duhej martuar.

QË II. lidh.

1. Përdoret për të lidhur një fjali kryefjalore, kallëzuesore, kundrinore ose përcaktore me fjalinë drejtuese (kryesore). P.sh.: E di “që” thua të vërtetën. E ndiente “që” kishte bërë gabim. E shoh “që” ke zgjedhur ekuacionin.

2. Përdoret në fillim të një fjalie të varur kohore, e cila tregon kohën që ka kaluar prej pikënisjes së gjendjes së veprimit të shprehur në fjalinë drejtuese, si: Sa vite kishin kaluar “që” nuk i kisha parë. Kanë pesë vjet “që” jetojnë në Suedi.

3. Përdoret përpara një fjalie të varur shkakore, e cila tregon shkakun e një ndjenje të shprehur në fjalinë drejtuese; sepse. P. sh.: Ai kënaqej “që” njerëzit nuk e kishin harruar. Bëre mirë “që” e citove Kadarenë.

4. Përdoret në krye të një fjalie të varur qëllimore, e cila tregon qëllimin përse kryhet veprimi i shprehur në fjalinë drejtuese. P.sh.: Erdha “që” të të them të vërtetën. Shkuan “që” ta marrin çmimin e fituar.

5. Përdoret në fillim të një fjalie të varur rrjedhimore, e cila tregon pasojën ose rrjedhimin e një veprimi të shprehur në fjalinë drejtuese. P. sh.: Kishte ndryshuar njeriu sa “që” nuk njihej. Unë jam përpjekur të mësoj, “që” të mos talleshin shokët me mua.

6. Përdoret në togfjalësha të ndërtuar nëpërmjet përsëritjes së një trajte të së njëjtës folje për të theksuar se një veprim a gjendje që kryhet, pavarësisht nga kushtet, nga dëshirat a nga parashikimet. P. sh.: Shkoi “që” shkoi. Nuk foli “që” nuk foli. Nuk deshi “që” nuk deshi.

7. Përdoret në disa lokucione lidhëzore, të cilat vihen në krye të fjalive të varura, që tregojnë vendin, kohën, kushtin, qëllimin, shkakun etj. të një veprimi të shprehur në fjalinë drejtuese. P.sh.: Që ku. Që kur. Kurdo që. Ngado që. Me kusht që. Me qëllim që. Në vend që. etj.

8. Përdoret në pjesën e parë të lidhëzave të shkallëzimit, tek të cilat pjesa e dytë nis me lidhëzën kundërshtore «por», si: Le “që” nuk dinte, por nuk dëgjonte. Jo “që” s’punonte, por pengonte edhe të tjerët. Jo vetëm “që” mungon, por as justifikim nuk ka.

QË III. ndajf.

1. Prej asaj kohe, qysh. Që fëmijë. Që i ri.

QË IV. parafj.

1. Përdoret me një emër në rasën kallëzore për të treguar kohën e nisjes së një veprimi, i cili vazhdon deri në një cak të njohur a të panjohur; prej. Që ditën e parë. Që herën e kaluar. Që të martën e deri të shtunën. etj.

QË V. pj.

1. Përdoret para fjalëve a togfjalëshave, që në fjali shërbejnë si rrethanorë kohe ose vendi, për të saktësuar pikënisjen e veprimit. P.sh.: “Që” në mëngjes.(k) “Që” ditën “që” vdiqe, ”që” kur s’të kam parë, lotët “që” kam derdhur…(k) “Që” nga Fieri deri në Vlorë.(v)

2. Përdoret përpara numërorëve themelorë a përemrave të pacaktuar “gjithë ” dhe “ tërë ”, të paraprirë nga nyja e përparme "të," të një tërësie të plotë që shprehet prej tyre. P.sh. Erdhën (shkuan) “që” të tre. Ishin mbledhur “që” të gjithë.

3. Përdoret në disa lokucione për të përforcuar pohimin a mohimin e diçkaje që vihej në dyshim ose për t'i dhënë gjallëri shprehjes. P.sh.: Ja “që” ndodhi. Le “që” e kuptoi edhe ai vetë. As “që” doli te dera, bile.

4. bised. Përdoret në dialog në disa fjali të ndërmjetme në fillim ose në mes të bisedës. Si: “Që” thua ti. Që të kam edhe ty me vete. Unë, “që” the ti, e kisha marrë vesh me kohë. etj.

~ Prof. Hamdi Mazreku

Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj