DREJTSHKRIMI I PËREMRAVE TË PACAKTUAR

DREJTSHKRIMI I PËREMRAVE TË PACAKTUAR
Një ndër 7 llojet e përemrave të gjuhës shqipe janë edhe “Përemrat e pacaktuar”, të cilët kanë një shtrirje të gjerë përdorimi në gjuhën tonë. Përemrat e pacaktuar tregojnë frymorë a sende në mënyrë të pacaktuar ose sasi të pacaktuara të tyre. Veçori themelore e përemrave të pacaktuar është pacaktuesia. Dikur këta përemra quheshin edhe si “Përemra të pakufishëm”, shih. FGjSSh, f.1333.
Meqë, vështrimi ynë është “Drejtshkrimi i përemrave të pacaktuar” le të shtojmë se në të folur dhe në të shkruar në gjuhën letrare shqipe ndeshim gabime drejtshkrimore në fushën e këtyre përemrave, si vijon:
Shkruhen me “-ë” në fund përemrat e pacaktuar, si: "gjithë, shumë, tërë, mbarë, gjë, një, asnjë, njëfarë" etj.
Shkruhen pa “ë” fundore përemrat: "plot, aq, kaq, mjaft, pak, diç" etj.
Shkruhen në formë të bashkuar, të përngjitur, dhe e ruajnë “-ë-"në e fjalët, gjë, një, njëfarë, shumë, si pjesë përngjitëse e tyre, përemrat: "asgjë, asgjësend, gjësend, gjëkafshë, asgjëkafshë, mosgjë, ndonjë, asndonjë, çfarëdo, çfarëdolloj, njëfarë, asnjëfarë, asnjëfarëllojë, shumëkush" etj.
• Fjalët “gjithë” dhe “kurrë” si pjesë përngjitëse nuk e ruajnë “-ë-"në në trup të tyre, si: "gjithkush, gjithsecili, gjithsekush, gjithçka, gjithfarë, gjithfarëlloj, gjithmbarë"; ose me "kurrë": "kurrkush, kurrgjë, kurrfarë, askurrkush, askurrfarë, askurrgjë" etj.
• Në formë të përngjitur duhet të shkruhen edhe përemrat e pacaktuar "askush, sekush, secili (dhe jo: seicili)" dhe përemrat: "akëkush, akësekush, akëcili, akësecili" të cilët siç shihet marrin edhe një “-ë-” në trup të tyre.
• Përemri i pacaktuar “tjetër”, kur vjen pas një emrit të numrit shumës, duhet të përdoret kurdoherë me nyje të përparme, si: djemtë "e tjerë"; vajzat "e tjera"; (dhe jo: djemtë tjerë). Edhe përemrat e pacaktuar “gjithë” dhe “tërë” (geg.“tanë”) që tregon tërësi të papërcaktuar, përdoren me nyjën e përparme të shumësit “të”, p.sh. “Të gjithë” djemtë, “të gjitha” vajzat: “i gjithë” populli; “e gjithë” bota .
• Disa përemra të pacaktuar që shprehin marrëdhënie të shoqishoqshme (reciproke) shkruhen me një vizë në mes, si: "njëri-tjetri, njëra-tjetra, shoku-shokut, shoku-shokun", por edhe: "shoqi-shoqit, shoqi-shoqin".
P.sh.: Ne bisedojmë me "njëri-tjetrin". Ia dhanë besën "shoku-shokut" etj.
Ndryshe, në rrafshin sintaksor, shumica e përemrave të pacaktuar mund të përdoren në funksione të ndryshme sintaksore, si: kryefjalë, kundrinorë e rrethanorë të ndryshëm. Kur janë të shoqëruar me emra përdoren si përcaktorë. P.sh.:
Si kryefjalë:
“Askush” nuk u përgjigj.
Si kundrinor i drejtë:
Nuk tha “asgjë”.
Si kundrinor i zhdrejtë:
“Askujt”nuk i pëlqeu mendimi yt.
Si rrethanor:
E kam parë “te dikush” këtë djalë.
Prandaj nga gjithë kjo që u trajtua më lart, konsiderojmë se kemi dhënë një kontribut rreth shtrirjes së këtyre përemrave të pacaktuar e për së veçi rreth drejtshkrimit të tyre në gjuhën standarde shqipe.
~Prof. Hamdi Mazreku
13 Shikime
Komente