oraeshqipes

PËRPJESTIMI I ELEMENTIT TË HUAJ NË GJUHËN SHQIPE NDAJ ELEMENTIT AUTOKTON

Administrator Administrator Postuar: 22 Mars, 2024

2 Shikime

Komente


PËRPJESTIMI I ELEMENTIT TË HUAJ NË GJUHËN SHQIPE NDAJ ELEMENTIT AUTOKTON

-Eqrem Çabej

PËRPJESTIMI I ELEMENTIT TË HUAJ NË GJUHËN SHQIPE NDAJ ELEMENTIT AUTOKTON

Rëndësia e kësaj çështje për historinë e shqipes. – Statistika e G. Meyerit dhe kritika e saj. – Gjendja e burimeve të njohjes së gjuhës në kohë të G. Meyerit edhe sot. – Mjetet e pasuri­mit e të pastrimit nga elementi i huaj.

Duke rrokur me një vështrim përmbledhës ç’u shtjellua në kapitujt më sipër, vihet re se nga përpjekjet e gjata të po­pullit shqiptar me të tjerë popuj, në Shqipëri brenda e në trevat përreth, gjuha shqipe ka pësuar ndikimin ku më të the­llë ku më të cekët të gjuhëve të këtyre popujve. Ky element i huaj është një pasqyrë e gjallë e jetës së popullit shqiptar në marrëdhënie me popujt fqinj, dhe si e tillë ka rëndësi përveç se për gjuhësinë edhe për historinë shqiptare.

Për historinë e shqipes është me rëndësi parimore të dihen përpjestimet e elementit të huaj shikuar si një e tërë. Këtu janë dy sende për të hetuar: E para, në ç’përpjestim qëndrojnë këto elemente të huaja njëri ndaj tjetrit; e dyta, në ç’përpjestim qëndrojnë këto si një njësi ndaj visarit autokton të vendit. Në raportin elementi i huaj : brumi vetiak na projektohet në gjuhë në një farë mënyre procesi historik i mëshimit të popujve të huaj më njerën anë e i rezistencës së elementit vendës më tjetrën.

I pari që preku këtë problem është Gustav Meyeri, më i madhi albanist i kohës së tij. Ky dijetar në parathënien e Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe, botuar në Strasburg më 1891, vendos këtë statistikë të fjalëve bazë të shqipes (d.m.th. pa derivate, kompozite etj.) nga pikëpamja e buri­mit të tyre: Nga 5140 fjalë bazë që përmban ky fjalor 1420 i dalin latine e romane, 540 sllave, 1180 turke, 840 greke të reja, vetëm nja 400 trashëgim i lashtë indoeuropian i shqipes; e për 730 të fundit ai thotë se kishin dështuar përpjekjet e tij për t’i zbërthyer.

Kësaj statistike i bën një kritikë gjuhëtari italian C. Tagliavini. Ai vë re kundra G. Meyerit:

1. Se ky vlerëson njësoj të gjitha fjalët pa një dallim kualitativ, kurse ka aty fjalë me përdorim të përgjithshëm e fjalë me një përhapje lokale. 2. Nga të 730 fjalët që G. Meyeri la pa zbërthyer, më e ma­dhja pjesë i përket pasurisë vetiake të shqipes, sepse po të ishin të huaja, do të ishin njohur menjëherë si të tilla. 3. Shumë nga fjalët që G. Meyeri i pat marrë si sllave e si latine, linguistët që erdhën pas tij, Pederseni, Jokli e të tjerë, ia kthyen përsëri fondit autokton të shqipes. 4. Në kohë të G. Meyerit nuk kish dalë as fjalori i Kristoforidhit (1904) as i Bashkimit (1908) as të tjerë fjalorë, që përmbajnë një tok fjalë nga të visarit të trashëguar të shqipes, të cilat G. Meyeri s’kish sesi t’i dinte. 5. Fjalori i G. Meyerit përmban shumë fjalë të dialekteve periferike, sidomos të kolonive të Greqisë e t’Italisë. Këto fjalë, që për një pjesë të madhe janë të burimit të huaj (greke, italiane, etj.), nuk bëjnë pjesë në shqipen e përgjithshme, prandaj nuk duhet të hyjnë në llo­gari si fjalët e mbarë gjuhës. Në mbështetje të këtyre rrethanave Tagliavini arrin në përfundimin se elementi vendës i visarit leksikor të shqipes nuk është më i pakë nga ai i disa të tjerave gjuhë indoeuropiane që kanë pësuar ndikime të forta nga jashtë, siç janë p.sh. armenishtja e anglishtja.

Kjo çështje është me rëndësi themelore për gjuhësinë shqiptare, sepse prek në vetë problemin e karakterit gjuhësor të shqipes. Për Shqiptarët kjo përtej caqeve të gjuhësisë ka dhe një rëndësi nacionale; megjithatë dijes si kudo edhe në këtë çështje i ka hie të ruajë objektivitetin e duhur. Nuk ka dyshim se shqipja është një nga ato gjuhë indoeuropiane që kanë pësuar një ndikim shumë të fortë prej gjuhësh së tjera; prandaj karakteri indoeuropian i saj më mirë se në leksik pasqyrohet në sistemin gramatikor. Elementi i huaj që nxori në shesh Gustav Meyeri mbetet, ai s’mund të hiqet me një fjalë goje. Është e vërtetë se ky dijetar ka mbivlerësuar këtë element të jashtëm, po për këtë përveç një prirjeje të kohës së tij ka pasur dhe arsye objektive. Dy burimet kryesore të pasurisë leksikore të gjuhës: dialektet dhe shkrimet e literaturës së vjetër, në atë kohë diheshin pak e aspak, dhe sot nuk mund të thuhet se kanë dalë kryekrejet në dritë. Nga shkrimtarët e vjetër Gustav Meyeri ka njohur e ka cituar në Fjalor të tij vetëm Bardhin. Bogdanin e përmend në listën bibliografike, po nuk duket ta ketë konsultuar. Veprat e Budit s’i ka njohur aspak, le që nuk diheshin të tria në kohë të tij. Edhe veprat e Buzukut e të Lekë Matrangës janë zbulime të këtij shekulli, që si të tilla as që mund t’i dinte G. Meyeri. Në këtë mënyrë ky dijetar s’pati mundësi ta rrokte gjuhën shqipe prej trungu, po e rroku prej degësh. Po të kish njohur pasurinë gjuhësore që dihet sot, kryesisht nëpërmes të fjalorëve e të botimeve të tjera të shekullit tonë, e të kish njohur më mirë dhe veprat e literaturës së vjetër, nuk ka dyshim se statistika e tij do të kish dalë më ndryshe. Te autorët e moçëm gjinden plot fjalë të burimit të trashëguar të gjuhës, e për fjalët që diheshin më parë dalin aty forma e kuptime që shpien në një tjetër gjykim të gurrës etimologjike të tyre. Kështu te Meshari i Buzukut dalin fjalë, forma e kuptime të paditura më parë, si mangu i sutësë “i vogli i drenushës”, ager “gomar”, agërinjë e gare “gomaricë”, ­vjedmis “mjedis, midis”, et “thatësirë”, fyell mjalti “hoje mjalti”. Ndonjë nga këto fjalë ruhet në toponomastikë, si ager te Qafa e Agrit në Veri. Te Buzuku e te Budi gjejmë edhe bëruo “bariu”, te Buzuku e te Bardhi akshandi i dritësë “aurora”, te Bogdani kumt “lajm”. Te Grigori (1827) fjala shaj del dhe për “gjykoj” etj.

Me një material të ri në dorë, duke i shtuar atij që dihej më parë edhe atë që është zbuluar në kohën që nga G. Meyeri e këtej, ka ardhur koha që të shqyrtohet rishtas pro­blemi i pjesës së pasurisë autoktone brenda visarit të përgjithshëm të gjuhës. Që tani mund të thuhet plot gojën që një pjesë e mirë e leksikut që mirrej si i burimit të huaj do t’i kthehet brumit vetjak të gjuhës të cilit i përket. Po më anë tjetër në këtë bilanc peshon edhe zhvillimi që ka marrë shqipja që nga koha e G. Meyerit gjer sot.

Me jetën e shqipes si një gjuhë shteti, ky zhvillim karakterizohet më një anë me qëndrimin stabil të elementit sllav edhe grek, më anë tjetër me pakësimin e elementit turk, e më një tjetër anë me shtimin pa masë të ndikimit të italishtes moderne. Në këtë mënyrë kjo valë e re e rrymës së huaj e kundërpeshon, e mban edhe e kalon atë pjesë të elementit autokton që ka ar­dhur duke iu shtuar leksikut qoftë nga dialektet, qoftë nga burimet e shkrimit, qoftë nga shoshitjet etimologjike. Sidomos në gjuhën e shkruar elementi i huaj, duke u shtuar përditë, kërcënon të mbulojë pjesën autoktone, edhe në qoftë se kjo në vetvete nuk pakësohet. Përqindja e elementit të huaj hypën vazhdimisht edhe në gjuhën e teknikës, të radios, të shtypit, të literaturës, të teatrit, të shkencave, të shkollës e të administratës civile e ushtarake. Në rrethanat e këtij realiteti, i cili përbën një problem me rëndësi shtetërore, rrjedhës së huaj mund t’i vihet një ledh vetëm me një punë rigoroze në drejtim të pasurimit të gjuhës me fjalë nga të lëndës së trashëguar. Një pasurim i tillë mund të kryhet njëkohësisht me disa rrugë. Një nga këto është të vënët në qarkullim e të përhapurit e fjalëve thjesht shqip të gjuhës popullore, duke u shtuar këtyre dhe ndonjë kuptim të ri e duke i ngritur këto në nivelin e gjuhës së kulturës. Një tjetër rrugë pasurimi e pastrimi është krijimi i disa fjalëve të reja prej brumit të visarit gjuhësor që ekziston, fjalë që do të jenë caktuar të japin koncepte të reja e të zëvendësojnë kështu fjalët e huaja. Gjithë kjo punë në tërësinë e saj duhet të drejtohet prej kriteresh shkencore të shëndosha.

Kreu VII

ELEMENTE TË SHQIPES NË GJUHËT E TJERA TË BALLKANIT

Bazat historike. – Elementet e shqipes në greqishten e re, në dialektet e saj veriore e në argotë. – Elementet shqipe në gjuhët sllave jugore, në dialektet e në argotë e tyre. – Disa ­elemente të shqipes në turqishten.

Nuk ka dyshim se gjuha shqipe shumë më tepër ka marrë prej gjuhëve fqinje sesa u ka dhënë atyre, e kjo ka lidhje me gjithë zhvillimin historik e kulturor të popullit shqiptar. Megjithatë një histori e gjuhës shqipe do të dilte mjaft e njëanshme, po të këqyrej vetëm se ç’ka hyrë aty nga gjuhët e tjera. Për të pasur një ide më të plotë e më të drejtë të ma­rrëdhënieve ndërgjuhësore duhet shikuar dhe ana e përkundërt e këtij procesi huazimesh, të shihet pra edhe ajo pjesë që shqipja u ka dhënë gjuhëve fqinje.

Bazat historike e kulturore për një të tillë ndikim nga ana e shqipes nuk mungojnë. Shqiptarët kanë ruajtur kulturën e vjetër të Ballkanit më mirë nga çdo tjetër popull i kësaj zone. Ata me mënyrën e jetesës e me zakonet që kanë ditur të mbaj­në nëpër shekuj janë përfaqësuesit e një tipi etnografik të veçantë në rrethin e popujve ballkanikë. Nga ky origjinalitet i disa anëve të jetës shqiptare kuptohet mirëfilli pse disa nga elementet e kësaj kanë depërtuar te popujt fqinj. Ndër këto ka elemente si të kulturës materiale si të jetës shpirtërore. Nga ato të parat hyjnë këtu disa vegla shtëpiake e sidomos disa elemente të kostumeve. Në lëmin e jetës shpirtërore vihet re një ndikim në popujt fqinj në fushë të muzikës e të valleve popullore. Grekët e Epirit këndojnë këngët e tyre me melodi labërishte. Aromunët e Toskërisë (Frashëriotët) i kë­ndojnë të vetat në mënyrë të këngës toskë­rishte (kolonjarçe etj.). Ata Serbë që janë fqinjë të Shqiptarëve kanë marrë prej këtyre meloditë e këngëve malsorçe. Edhe doke e zakone shqiptare kanë kaluar te këta popuj. Kështu pra shqiptarët kanë qenë edhe dhënës ndaj fqinjve të tyre. Kjo është një gjë me rëndësi për etnografinë e Gadishullit Ballkanik, që gjer më sot nuk është gjurmuar sa duhet.

Nga të tilla marrëdhënie në jetën materiale e mendore kuptohen edhe ndikimet gjuhësore, të cilat nuk janë veçse një refleks i atyre, e duhet të vlerësohen si një pasqyrë e ndikimit kulturor. Këto bëhen edhe më të kuptueshme, kur të kemi parasysh që shqipja është një nga gjuhët e lashta të Ballkanit, me një vend të rëndësishëm midis gjuhëve fqinje.

Nga sfera sociale le të përmendim që fjala 'besa' ka hyrë pothuajse në gjithë gjuhët ballkanike, duke përfshirë dhe turqishten.

Në kulturën materiale gjurmët e shqipes shihen sidomos në fushë të jetës baritore e të blegtorisë. Kjo ka qenë si të thuash mjeshtëria nacionale e Shqiptarëve gjatë shekujve. Në kronikat bizantine e në dokumentet historike të Serbisë mesjetare Shqiptarët na dalin kudo si barinj e stanarë, shpeshherë së bashku me Vlleh. Një anonim, nga sa duket, domenikan freng, që në vitin 1308 bëri një udhëtim nëpër Europën Lindore, përshkrimin e të cilit e ka botuar historiani polak O. Gorka me titullin Anonymi descriptio Europae orientalis, thotë për Shqipërinë: “Terra est fertilis in carnibus, caseis et lacte, in pane et in vino non multum abundant”.

Le t’u hedhim tani një vështrim huazimeve të shqipes në gjuhët e tjera:

HUAZIME NË GREQISHTEN E RE

Huazimeve shqipe në greqishten e re u ka kushtuar një monografi më vete Gustav Meyeri, sipas të cilit këto arrijnë afro në 70. Këtu duan dalluar fjalët që janë bërë të përgjithshme nga ato që kanë hyrë vetëm në disa dialekte të greqishtes së re, sidomos në greqishten veriore, që është gjeografikisht më afër me truallin gjuhësor të shqipes. Nga greqishtja bizantine po përmendim rentai “vrapim kuajsh në hipodrom”, nga shq. rend (Jokl). Nga greqishtja e re p.sh. cupra prej çupë, kopella prej kopile, vllamis prej vëllam, lera “ndyrësi” prej lerë. Prej bagëtisë kanë hyrë ndër të tjera ­dhasos prej dash, kaciki prej kaciq kec, ciapos prej cjap, siutos prej shut “pa bri”, skopi prej shkop, giza prej gjizë, carkos prej një forme të vjetër të thark-ut, dosa prej dosë etj. Nga greqishtja veriore khs. p.sh. kothra prej kothër kothere, bimsa prej bimsë “podrum”, boti “shtamë” prej bot, skuli “çile” prej shkul, cerma prej cermë “përdhes”. Nga të tilla huazime del se elementi shqiptar në greqishten e re është më i madh nga ç’e llogariste G. Meyeri. Në greqishten e re e në aromunishten kanë shkuar prej shqipes edhe emra petkash nga të bariut, si bërruc bruc e shark.

Një vend më vete zënë elementet shqipe që kanë depërtuar në gjuhët e fshehta (argotë) e zanateve të ndryshme të Greqisë, si të terzive, muratorëve, vozgarëve. Në këto gjuhë speciale gjinden fjalë si thanuki “verë prej thane, thanuqe”, kendesis “mësues”. Elementet shqipe parapëlqehen, sepse përmbushin mirë qëllimin e këtyre gjuhëve, që është të mbeten sa më të pakuptueshme për ata që janë jashtë këtyre gjuhëve.

HUAZIME NË GJUHËT SLLAVE

Ndikimi i shqipes u ka shtrirë edhe mbi gjuhët sllave, po gjer më sot mungon një studim përmbledhës mbi këtë temë. Ka disa kërkime të veçanta, nga të cilat duan përmendur ato të J. Popoviçit[1].

Në elementet që kanë marrë gjuhët sllave prej shqipes duan dalluar dy shtresa. Njëra, më e lashtë dhe gjeografi­kisht më e përhapur, përfshin disa fjalë që përveçse në gjuhët sllave të Ballkanit kanë shkuar dhe në rumanishten e me anë të kësaj gjuhe edhe në disa vise të Europës Lindore jashtë Ballkanit. Tjetra shtresë është më e re, dhe gjeografi­kisht më e kufizuar. Përfshin fjalët shqipe që kanë hyrë në serbokroatishten e bullgarishten, sidomos në ato dialekte të këtyre gjuhëve që gjinden afër truallit të shqipes, pra më fort në Mal të Zi, Serbi e Maqedoni.

Bëjnë pjesë në shtresën e parë ndër të tjera: shq. bajgë balgë : serbokr. rum. balega, ukr. balega; shq. shyt shut : greq. e re siutos, serbokr. bullg. šut, rum. ciut, çek. šuta koza, pol. szuty, ukr. šuta, magj. csuta etj.; shq. vatër votër : serbokr. vatra “zjarr”, rum. vatra* “zjarr”, ukr., çek., sllovak. vatra, pol. watra “vatër, zjarr”. Këtë fjalë me shtektimet e saj në këto gjuhë e ka studiuar N. Jokli, duke vënë re njëkohësisht se këto e kanë marrë në formën e toskërishtes. Kjo rrethanë është me vlerë për fonetikën historike të shqipes, sepse dëfton që ndrimi i o-së në a në grupin vo te ky dialekt u krye mjaft heret; shq. katund : serbokr. katunь “kullotë, stan”, bullg. katunь “kurbat, arixhi”, sllav. e vj. katunь“castra”, rum. ca*tun “katund, fshat”, greq. e mesme katuna “çadër, fushim”; edhe këtë fjalë N. Jokli e gjen si të burimit shqiptar, kurse Capidani e ndonjë tjetër dijetar shohin këtu e te disa fjalë të tjera si këto më lart mbeturina të vjetra ballkanike. Edhe kopil ka shkuar jo vetëm në greqishten e re, po edhe në sllav. e vj. kopilь, serbokr. kopile, bullg. kopile “mizor”, rum. copil “fëmijë”. Serbokr. venja, greq. e re venja (Moré) “dëllinjë” burojnë prej shq. venjë.

Nga shtresa e dytë po marrim në shqyrtim më parë huazimet shqipe të serbokroatishtes e pastaj ato të ­bull­ga­rishtes.

Nëpër dialektet serbokroate që fliten në afërsi të shqipes ruhen ndër të tjera: laja prej shq. llajë “dele e zezë”; barzast “i përhimë” prej bardhë; ugiç prej ogiç; çeno prej qen; ira prej hirrë, të gjitha fjalë blegtorie. Ndër emra shtazësh mazga “mushkë” prej mushkë; šotka “rosë” prej shotë; utina prej hut, që ka hyrë dhe në bullg. utva; fuga prej fugë “femra e bengut, fikësit; landa “felë” prej landë; puljiz “lloj rrushi” prej pulëz; bersa birsa prej bërsi-a; škrapa “shkëmb” (në Dalmaci) prej shkrep, karpa “shkëmb” prej karpë; ente “pjesë e vegjve” (Bosnje) prej end; špuzva “sfyngjer” prej shpuzë.

Në bullgarishten kanë hyrë ndër të tjera: čupa prej çupë, daško “qengj” prej dash; kekav “i dobët” prej keq; karpa prej karpë; oluk prej luk ulluk e barzav, jogiç “ogiç”; vatra, utva që u zunë ngoje dhe më lart. Mendimin e dijetarit bullgar Stefan Mladenov, që mohon ekzistencën e huazimeve shqipe në bullgarishten, e ka kundërshtuar me të drejtë Norbert Jokli. Në kohën e fundit Vladimir Georgievi ka vënë në dukje rishtas elementin shqiptar në bullgarishten[1].

Si në greqishten e re, edhe në serbokroatishten e bullga­rishten ka mjaft fjalë shqipe që kanë kaluar në gjuhët e fsheh­ta të zejtarëve të ndryshëm, në radhë të parë në ato të Bosnjës, Serbisë, Maqedonisë e Bullgarisë. Edhe për këto ka një radhë studime të veçanta.

HUAZIME NË TURQISHTEN

Megjithëse ndikimi i shqipes mbi turqishten është shumë i pakë, nuk mungon krejt as atje. Më lart u përmend fjala 'besa' që ka shkuar dhe në atë gjuhë. Një tjetër fjalë është ­luk-u, lug-u. Kjo, sikurse ka treguar N. Jokli, ka shkuar në turqishten duke ndruar atje trajtën në uluk; prej turqishtes kaloi në gjuhët ballkanike me trajtë turke, e ndër të tjera u kthye dhe në shqipen, me këtë trajtë, si ulluk. Edhe shumë fjalë të greqishtes turqishtja i ka ndryshuar, sidomos me anën e “harmonisë vokalike” që është karakteristike për të, e shpeshherë ia ka kthyer greqishtes në këtë trajtë. Kështu p.sh. greq. 'drahme' shkoi në turqishten, e prej këndej me traj­tën turke 'dirhem' depërtoi në gjuhët ballkanike, ndër këto dhe vetë në greqishten e re. Edhe greq. kalopus “këmbë e bukur” dha në turqishten kalup, që kaloi prapë në greqishten e re, në shqipen si kallëp etj. Këto shtektime fjalësh i ka studiuar gjuhëtari gjerman A. Maidhof.


Nga faqja Eqrem Çabej



Administrator
Autor

Administrator

Postime tjera


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj