oraeshqipes

PËR TË PUNUAR vs ME PUNUE?

Administrator Administrator Postuar: 12 Shkurt, 2024

1 Shikime

Komente


PËR TË PUNUAR vs ME PUNUE?

PËR TË PUNUAR vs ME PUNUE?

PSE PASKAJORJA GEGE NUK ËSHTË INTEGRUAR DOT NË SHQIPEN STANDARDE?

Format e pashtjelluara të foljes për nga ndërtimi ndahen në dy grupe:

I) në grupin e parë hyn PJESORJA dhe format e ndërtuara mbi bazën e saj, si MOHORJA (pa larë) dhe PËRCJELLORJA (duke larë);

II) në grupin e dytë futen format e tipit: “për të larë” dhe “me të larë” (PASKAJORJA).

Pra, kemi 4 forma të pashtjelluara: pjesoren, mohoren, përcjelloren dhe paskajoren. Mirëpo sipas morfologjisë së gjuhës shqipe hasim edhe një formë tjetër të pashtjelluar, që përdoret si paskajore në të folmen e gegërishtes: “ME PUNUE”, “ME FJETË”, “ME FOLË”, “ME ARDHË” etj. Kjo formë futet në grupin e parë të formave të pashtjelluara, që formohet me pjesëzën “ME” plus pjesoren e foljes. Mirëpo kjo paskajore gege nuk është integruar në standardin e gjuhës shqipe.

PSE?

Nga e gjithë analiza apo debatet mbi këtë çështje, edhe pse dialekti im është gegërishtja, duke punuar çdo ditë me gjuhën shqipe, duke prekur përditë zhvillimet e saj, mendoj se gjuha është një sistem zhvillimor, që shumë herë i “vendos vetë rregullat e veta”. E në këtë debat gjuhësor, mendimi im përkon me analizën e studiuesit Ardian Vehbiu, sipas të cilit kjo formë e pashtjelluar e gegërishtes nuk është integruar, sepse:

“1. Integrimi i saj has në disa vështirësi të pakapërcyeshme, të cilat kanë të bëjnë me morfologjinë e pjesores gegërishte, ku një nga dallimet themelore të toskërishtes me gegërishten, në rrafshin fonetik, është dallimi i grupeve “ua/ue”. Atje ku toskërishtja ka “ua”, gegërishtja ka “ue” dhe ky dallim është gjithëpërfshirës, në rrënjë të fjalëve, në mbaresa, madje edhe në mjete fjalëformuese, si prapashtesat. Standardi ka zgjedhur si rregull grupin toskë “ua”, në vend të grupit “ue”, por ka marrë prej gegërishtes format e tipit “sulmues, lexues, i lexueshëm, i lavdërueshëm” etj.

2. Edhe pse toskërishtja dhe standardi i mbështetur mbi të nuk e ka këtë paskajore të gegërishtes, nuk haset asnjë vështirësi për t’i shprehur funksionet e paskajores së gegërishtes me mënyrat e tyre.

3. Ka më se 100 vjet që shkrimtarë vullnetmirë përpiqen të përdorin aty-këtu ndërtime me paskajoren gegërishte brenda tekstesh të shkruara në toskërishten e dikurshme dhe në standardin e sotëm, por kjo dukuri mbetet në kuadrin e përzierjes spontane së dialekteve në gjuhën e folur (si çdo përzierje tjetër dialektesh) dhe nuk është shtrirë as në letërsinë artistike, as në letërsinë shkencore, as në publicistikë e as në përkthimet letrare e shkencore.

4. Nëse paskajorja e gegërishtes do të futej në standard, atëherë duhej përfshirë krejt sistemi foljor i gegërishtes, gjë që do të ishte e mundshme, por e pagjasë, në rrethanat kur u kristalizua shqipja zyrtare. Sistemi foljor i gegërishtes trupëzon shumë nga ato karakteristika fonetike dhe gramatikore, të cilat e dallojnë gegërishten nga toskërishtja. Nëse do të futej në standard sistemi foljor i gegërishtes, atëherë edhe fonetika e shqipes së njësuar duhej të ndiqte modelin gegërishte.

Prandaj paskajorja e gegërishtes nuk mund të shartohej në standard pa e përmbysur këtë të fundit; meqë ajo paskajore shpreh thelbin fonetik dhe gramatikor të dialektit gegë dhe të variantit letrar përkatës, p.sh. do të duhej të shkruanim: Ka ardhur koha me punue tokat e papunuara.

5. Natyrisht, edhe gegërishtja letrare fare mirë mund të kishte shërbyer si bazë e shqipes së njësuar, meqë nga pikëpamja gjuhësore dhe kulturore e përmbushte funksionet. Mirëpo ishte dhe është shumë e vështirë përzierja korrekte dhe oportuniste e të dy dialekteve, nëpërmjet bashkëjetesës së formave paralele në një sistem”.Veç kësaj paskajorja nuk ka të njëjtin përdorim në të folmet e gegërishtes: është më e shpeshtë në veri (p.sh., në Shkodër) dhe vjen duke u rralluar duke shkuar drejt jugut (p.sh., në Elbasan, Tiranë). Kështu që kodifikimi i përdorimit të paskajores do të ishte shumë problemor. Në rast se një tekst në gjuhën standarde do t’u jepej tre-katër personave për ta kthyer gegërisht duke përdorur paskajoren, do të dilnin tre-katër variante të ndryshme për nga masa e përdorimit të saj.

Me këtë nuk“zhvlerësohet” assesi dialekti gegë dhe prodhimi letrar i traditës në këtë dialekt, sepse ai është pjesë e gjuhës shqipe dhe i ka dhënë asaj një pasuri të madhe fjalësh e shprehjesh. Pena e Fishtës, Mjedës, Pashko Vasës, Koliqit, Shirokës etj., i kanë dhënë shqipes një pasuri të vyer fjalësh e shprehjesh plot ngjyra e melodi.

Të dy dialektet e shqipes, ashtu si dialektet e çdo gjuhe, karakterizohen nga prania e elementeve gjuhësore të përbashkëta dhe e disa elementeve të veçanta që i dallojnë midis tyre. Në sistemin fonetik, në strukturën gramatikore dhe në fjalor elementet e përbashkëta të dy dialekteve tona janë më të shumta dhe më të rëndësishme sesa elementet që i dallojnë ato. Këto elemente të përbashkëta përbëjnë atë që mund të quhet njësia e shqipes si gjuhë kombëtare e të gjithë shqiptarëve, megjithëse një pjesë e shqiptarëve e kanë dialektin amtar me paskajore e një pjesë pa paskajoren (e tipit me punue). Përdorimi i saj mbetet kryesisht dukuri e gjuhës së folur bisedore, por herë-herë përdoret edhe në situata formale përsëri si përzierje dialektesh.

Por të mos harrojmë kurrë, se vetëm gjuha e unifikuar standarde na bashkon dhe na mban të tillë. Të përdorim dialektet tona, por duke ruajtur fort gjuhën tonë standarde!

~S. Agolli

Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj