oraeshqipes

Mirjetë apo Mirëjetë, Valdet apo Valëdet? A DUHET TË ZBATOHEN NORMAT E GJUHËS SHQIPE EDHE PËR DREJTSHKRIMIN E EMRAVE TË NJERËZVE?

Administrator Administrator Postuar: 1 Shkurt, 2024

6 Shikime

Komente


Mirjetë apo Mirëjetë, Valdet apo Valëdet? A DUHET TË ZBATOHEN NORMAT E GJUHËS SHQIPE EDHE PËR DREJTSHKRIMIN E EMRAVE TË NJERËZVE?

Mirjetë apo Mirëjetë, Valdet apo Valëdet?

A DUHET TË ZBATOHEN NORMAT E GJUHËS SHQIPE EDHE PËR DREJTSHKRIMIN E EMRAVE TË NJERËZVE?

Palok Daka në kumtesën e vet “Mbi drejtshkrimin e emrave të përveçëm të njerëzve në gjuhën shqipe”, të cilën e pati lexuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” në Tiranë në vitin 1972, pos të tjerash pati shkruar:”Ekziston mendimi sipas të cilit,emrat e njerëzve s’kanë të bëjnë fare me rregullat drejtshkrimore;secili person - sipas përkrahësve të këtij mendimi - ka të drejtë të shkruajë dhe ta fiksojë emrin e vet ashtu siç i pëlqen dhe siç i vjen më mbarë atij. Ka edhe një mendim të dytë, sipas të cilit emrat e njerëzve, në mos tërësisht, në pjesën më të madhe mund të kenë një sistem të caktuar drejtshkrimor”.

Megjithëse autori i kumtesës në shqyrtim shpreh dilema lidhur me shkrimin e emrave vetjakë, ai është për drejtshkrimin e tyre, meqë “një numër relativisht i madh i tyre janë shkruar e shkruhen edhe sot me mjaft luhatje e shtrëmbërime të natyrave të ndryshme”.

Për të pasur zgjidhje në këtë rast duhet ta citojmë “Parathënien” e “Fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe”, Tiranë, 1976, f.7: ”Për shkrimin e emrave të njerëzve lexuesi duhet t’u drejtohet rregullave të dhëna në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe”.

Për shkak të mosrespektimit të normave gjuhësore të disa emrave të njerëzve sot këta emra dalin në dy e më shumë variante shkrimore dhe kështu sjellin kokëçarje në përvetësimin e normave të sotme drejtshkrimore.

Dihet se si parim themelor i drejtshkrimit të shqipes është marrë parimi fonetik, që do të thotë se fjalët duhet të shkruhen ashtu siç shqiptohen në ligjërimin letrar. Atëherë, pse duhet të ndryshojë shkrimi i disa emrave të përveçëm të njerëzve nga emrat e përgjithshëm prej të cilëve janë formuar këta emra? A thua duhet të ndryshojë emri vetjak “Kaltrinë” nga emri i përgjithshëm “kaltËrinë”? Pse duhet të shkruajmë “malËsor” si emër të përgjithshëm dhe “Malsor” si emër të përveçëm? Pse shkruajmë “Lulzim”, kur në “Fjalor” e kemi “lulëzim”?

Sipas meje antroponimet, që kanë dalë nga emra të përgjithshëm, duhet t’i shkruajmë ashtu siç i shkruajmë emrat e përgjithshëm, me përjashtim të shkronjës së parë.

Derisa për emrat me prejardhje më shumë përdoret parimi fonetik,si p.sh.: lojtar, furrtar, pishtar etj., ndërsa për emra kompozita (emra të përbërë) përdoret parimi morfologjik, si p.sh.: erëmirë, fushëgropë,Qafëthanë, Qafëmal etj. Pse tek emrat vetjakë nuk veprohet kështu,por më shumë respektohet parimi fonetik, si: Ditmir, Jetmir, Valmir,Valdet, Valdrin, Mirjetë etj.? Pse mungon “e”-ja fundore e temave të para të kompozitave? A nuk duhet të shkruhen këta emra sikur emrat kompozita: QafËshtamë, QafËbuall, QafËthanë etj.?

Tipi i emrave femërorë që del me “í” të theksuar fundore paraqet pasiguri në të përdorur, sepse këta emra shfaqen në tri variante

shkrimi:

a) Liri, Bukuri, Dituri, Lumturi, Dashuri etj.;

b) Lirie, Bukurie, Diturie, Lumturie, Dashurie etj.;

c) Lirije, Bukurije, Diturije, Lumturije, Dashurije etj.

Vetëm emrat nën a) Liri, Bukuri, Dituri etj,. janë shkruar sipas normave drejtshkrimore të gjuhës shqipe, ndërsa dy variantet e tjera,jo.

Një tip tjetër emrash femërorë, të përafërt me ata të lartshënuar, por që dallohen prej tyre, sepse kanë një “-j-“ mes zanoresh dhe si të tillë janë të huazuar nga gjuhët: arabe, turke, persiane etj., prandaj duhet të shkruhen me “-j-“. Pra, kështu: Sanije, Sabrije, Sadije, Rabije,Resmije, Fahrije, Shadije, Shukrije etj.

-Prof. Musa Nushi

Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj