oraeshqipes

Interesa kombëtare apo interesa kombëtarë?-Emrat e dygjinishëm dhe problemi ynë me ta

Administrator Administrator Postuar: 12 Shkurt, 2024

23 Shikime

Komente


Interesa kombëtare apo interesa kombëtarë?-Emrat e dygjinishëm dhe problemi ynë me ta

Interesa kombëtare apo interesa kombëtarë?

Emrat e dygjinishëm dhe problemi ynë me ta

Një ndër rregullat bazë të gjuhës shqipe është dhe përshtatja në numër, gjini dhe rasë e mbiemrit me emrin me të cilin lidhet. Kjo rregull mësohet që në klasë të dytë të shkollës fillore, mirëpo shumë shpesh hasim përshtatje të gabuara të mbiemrave me emrat që lidhen. E hasim aq dendur gabim këtë përshtatje, sa nisa ta studioja si dukuri gjuhësore, për të kuptuar se përse bëjmë aq shumë gabime me këtë rregull.

Ku qëndron problemi dhe vështirësia në këtë rregull?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, le të rikujtojmë shkurt formimin e shumësit të emrave mashkullorë.

Emrat mashkullorë e formojnë shumësin në këto mënyra:

I. Njësoj si njëjësi: nxënës, mësues, lexues etj.

II. Me prapashtesa trajtëformuese:

- ë – mjekë, shokë, policë etj.

- a – libra, interesa, objektiva

- e dhe ra – male, qytete, ujëra etj.

III. Me ndërrim tingujsh (+ prapashtesa): brigje, pleq, pyje etj.

Problemi i përshtatjes së mbiemrave me emrat në gjini qëndron te mënyra e dytë, pikërisht tek emrat mashkullorë, që e formojnë shumësin me prapashtesat trajtëformuese -e dhe -ra. Emrat e kësaj klase në njëjës janë në gjininë mashkullore, por kur kalojnë në numrin shumës femërorizohen. Këta emra mashkullorë quhen ndryshe edhe emra të dygjinishëm ose ambigjenë, sepse në numrin shumës i marrin përcaktorët në gjininë femërore. Emrat që hyjnë në klasën e ambigjenëve kryesisht emërtojnë jofrymorë, sende a nocione abstrakte. Kështu kemi: male të larta, ujëra të thella, fshatra të vogla, tri qytete, vajra industriale, personazhe artistike etj.

Ashtu si shumë gjuhë të familjes indoeuropiane, edhe gjuha shqipe e shfaq dukurinë e emrave të dygjinishëm. Kjo është një dukuri e vjetër, e cila pas shumë diskutimesh në rrethet shkencore u pranua si normativë në gjuhën standarde. Si e tillë, ajo duhet të përdoret drejt dhe saktë, sa kohë është normativë! Mirëpo kjo dukuri edhe sot e kësaj dite sjell debate mes studiuesve të fushës, ku disa prej tyre e pranojnë dhe disa e kundërshtojnë, për shkak të problemeve që sjell përshtatja e përcaktorëve me këta emra.

Pra, ajo që e bën të vështirë këtë dukuri, gjë që çon në moskuptimin dhe përdorimin gabim të saj, është përshtatja e përcaktorëve mbiemra me emrat. Ky është një problem çdo ditë e më i shpeshtë i gjuhës shqipe, sepse lidhjet e fjalës së përcaktuar me përcaktuesin përshtaten gabimisht në gjini.

Por, përveç përshtatjes së përcaktorëve në gjini me emrat ambigjenë, vështirësia qëndron edhe tek emrat mashkullorë që në shumës dalin me prapashtesën trajtëformuese -a, si: objektiva, libra, interesa, telefona, gërsheta, zëra etj. Shumë vetë këtë prapashtesë e marrin si të gjinisë femërore dhe kështu, kur përcaktorët i vënë në femërore.

MBANI MEND! Emrat mashkullorë që e formojnë shumësin me – a nuk janë të dygjinishëm (ambigjenë). Si të tillë përcaktorët i marrin gjithmonë në gjininë mashkullore. Pra, kemi: interesa kombëtarë, objektiva të qartë, telefona të prishur, zëra të ëmbël etj.

Emra të dygjinishëm (ambigjenë) janë vetëm ata që e formojnë shumësin me - e dhe - ra.


Përgatiti: S. Agolli 

Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj