DREJTSHKRIMI I PËREMRAVE PRONORË

DREJTSHKRIMI I PËREMRAVE PRONORË
Përemrat pronorë si shumica e përemrave të tjerë janë fjalë dëftuese, që tregojnë pronarin e një prone të caktuar dhe kanë tri veta me dy numra, rasë e gjini, e cila në vetën e parë e të dytë dallohet vetëm nga prona, kurse në vetën e tretë edhe nga prona, edhe nga pronari.
Përemri pronor është ai lloj përemri që tregon se sendi i dhënë i përket një vete të cakruar: libri im, motra jote, mendimi yt etj. Këtu përfshihet edhe përemri vetvetor “i, e vet”.
Përemri pronor shkruhet zakonisht pas emrave, përveç emrave të farefisnisë: ime motër, im bir, yt vëlla etj.
Mirëpo, pronorët nëpër shkrimet dhe bisedat tona të përditshme zyrtare e publike i ndeshim shumë dendur jashtë këtyre rregullave gramatikore e normave drejtshkrimore siç është mospërshtatja në gjini, në rasë etj., që janë pasojë e një pakujdesie, e ndikimit dialektor, sikundër edhe e njohjes së pamjaftueshme të normës gjuhësore letrare nga folësit dhe shkruesit e gjuhës shqipe.
Disa gabime në përdorimin e pronorëve:
1. Përdorimi i formave të kallëzores për gjinoren, dhanoren apo rrjedhoren:
• shoqes tonë për shoqes sonë
• shoqes tuaj për shoqes suaj
• shoqes tënde për shoqes sate
2. Përdorimi i formave të femërores në vend të formave të gjinisë mashkullore:
• shoku jonë për shoku ynë
• djemtë tonë për djemtë tanë
• shoku jot për shoku yt
3. Përdorimi me nyjë i përemrave pronorë të dy vetave të para:
• mendimi i im për mendimi im
• nga ana e jonë për nga ana jonë
• shoqja e jote për shoqja jote
4. Gabime mund të bëhen edhe në numër dhe gjini:
• nënës sime jo nënës time
• nënës sonë jo nënës tonë
• shoqes sate/suaj jo shoqes tënde/tuaj
• imi, yti, jo i imi, i yti
• yni/ juaji jo i yni, i juaji
• mendimi yt jo mendimi jot
• fshati ynë jo fshati jonë
• fshatrat tona jo fshatrat tanë
5. Nuk shkruhen me “-j-” as në mashkullore as në femërore përemrat e vetës së parë:
• e mi, e mia jo e mijë, e mija
• të mitë, të miat jo të mijtë, të mijat
6. Nuk shkruhen me “-ë ” fundore përemrat pronorë:
• i, e tij, i, e saj jo i, e tijë, i, e sajë
7. Përemrat pronorë: im, ime, jot, jote, ynë, jonë, juaj, qoftë kur përdoren thjesht si përemra, qoftë kur përcaktojnë një emër, qoftë kur emërzohen – shkruhen pa nyje të përparme:
• libri im, ky libër është imi, puna ime, kjo punë është imja;
• djali yt, yti është ky djalë?
• shkolla jonë, kjo shkollë është jona;
• vendi ynë, ky vend është yni;
• shtëpia jonë, kjo shtëpi është jona
8. Shpeshherë përdoret përemri i vetës së tretë: “i tij”në vend të pronorit vetvetor “i vet - e vet”:
• Brikena ia kërkonte Verës librin e saj për “librin e vet”;
• Ai ia fali atdheut jetën e tij për “jetën e vet”.
• Ai dha jetën e vet për liri (dhe jo: jetën e tij).
9. Shkruhen me “-ë” në fund pronorët:
• ynë – tonë, jonë – sonë, tanë, të mitë, të tutë, të tijtë dhe të sajtë etj.
Pra, drejtpërdorimi i pronorëve sipas këtyre rregullave gramatikore dhe normave drejtshkrimore do të ndihmonte që gjuha letrare shqipe në këtë pikë të flitet dhe të shkruhet pa gabime.
-Prof. Hamdi Mazreku
25 Shikime
Komente