FORMAT DYVARIANTËSHE TË EMRAVE TË GJINISË FEMËRORE, SI P.SH.: DREJTORE - DREJTORESHË

FORMAT DYVARIANTËSHE TË EMRAVE TË GJINISË FEMËRORE, SI P.SH.: DREJTORE - DREJTORESHË
Disa emra të gjinisë femërore në gjuhën shqipe dalin me forma dysore, pra me prapashtesat -E dhe -ESHË, si p.sh.:drejtorE - drejtorESHË, doktorE - doktorESHË, profesorE -profesorESHË, mikE - mikESHË etj. Tipit të emrave të gjinisë femërore që formohen me prapashtesën -E, në vend se me -ESHË, të ngritur tanimë në normë drejtshkrimore, i përkasin edhe emrat: ministrE dhe mjeshtrE, që për herë të parë janë përdorur, siç mendoj unë,në “Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe”, Tiranë, 1976 dhe vetëm pas botimit e në bazë të tij janë përdorur si të tillë edhe në shkrime të tjera. Në trajtën e shquar këta dy emra kanë në përbërjen e tyre nga katër bashkëtingëllore -STRJ,-SHTRJ (miniSTRJa, mjeSHTRJa), që vështirë mund t’i
shqiptojmë.
Më duket se këta dy emra paraqesin një përjashtim drejtshkrimor, sepse fjalë me përbërje të tillë bashkëtingë-lloresh vështirë mund të hasim në leksikun e gjuhës sonë.
Kjo do të thotë se këto fjalë për nga përbërja fonetike janë të reja, megjithëse për nga formimi fjalët me prapashtesën -E janë mjaft të hershme.
Formimi i këtyre emrave me prapashtesën -ESHË ka shtrirje më të gjerë dhe si rrjedhim edhe përdorim më të përhapur. Në Kosovë, së paku, është dëgjuar e shkruar: ministreshë - ministresha, mjeshtreshë - mjeshtresha, doktoreshë - doktoresha, drejtoreshë - drejtoresha etj.
-Prof. Musa Nushi
9 Shikime
Komente